Duro:Siguria në punë, koshienca e ulët
Politikat e sigurisë në punë pritet të pësojnë shumë shpejt ndryshime rrënjësore. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, tha dje se po fuqizohet roli i Inspektoratit Shtetëror të Punës, sikurse po krijohen dhe mekanizmat për rritjen e sigurisë në punë. Mungesa e bashkëveprimit mes pushtetit vendor dhe ISHP-së duket se do të marrë fund falë një sërë aktesh ligjore të përgatitura nga Ministria e Punës. "Pikërisht për institucionalizimin e këtyre marrëdhënieve, me qëllim përmirësimin e situatës, në dokumentet e përgatitura së fundi si, Strategjia dhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, përcaktohen jo vetëm aktorët përgjegjës, por edhe bashkëpunimi mes tyre", u shpreh Duro. Ai konfirmon se nga studimet e fundit është vënë re se ndërgjegjësimi i punëdhënësve e punëmarrësve në lidhje me shëndetin e sigurinë në punë është ende në nivele të ulëta. Sipas ministrit Duro, sektorët më problematikë, ku vazhdon të mbetet shqetësues numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, vazhdojnë të jenë ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj. Megjithatë, ai nuk ka pranuar se situata është përkeqësuar. Lidhur me rekomandimet e ILO-s për këtë çështje Duro tha se raporti i tyre pritet të paraqitet në fund të këtij muaji, për t‘u bërë më pas ndërhyrjet e nevojshme.