Kosova falënderon Kukësin për krizën
Rreth 40 mijë kosovarë kanë udhëtuar dje në Kukës në ditën e 10-vjetorit të krizës së vitit 1999. Manifestimi i madh që nisi dy ditë më parë në Mitrovicë dhe përfundoi në Kukës ishte organizuar nga shoqata "Eksodi ‘99", me qendër në Mitrovicë, në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe Bashkinë e Kukësit. Në mesditë, kryetari i bashkisë, Hasan Halili, ka pritur një përfaqësi të shoqatës "Eksodi ‘99", si dhe autoritetet qeveritare e rajonale të Kosovës, bashkë me të cilët ka inauguruar obeliskun e krizës, të ngritur në shenjë mirënjohjeje për solidaritetin e familjeve kuksiane.
Mitingu
Në mitingun e zhvilluar me këtë rast morën pjesë zv/kryeministri i Kosovës, Ram Manaj, autoritete të tjera vendore e rajonale të Kosovës, kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, deputeti i Parlamentit shqiptar, Fatos Hoxha, si dhe autoritete të zgjedhur të Hasit dhe Tropojës. Fjalën e rastit e mbajti Hasan Halili, kryetar i Bashkisë së Kukësit, i cili vlerësoi bujarinë dhe solidaritetin e familjeve kuksiane që pritën në pranverën e vitit 1999 mbi 520 mijë banorë të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe i dhanë botës së qytetëruar shembullin e humanizmit të lartë. "Familjet tona, që mbajtën në shtëpi njerëzit e dëbuar nga trojet e tyre në Kosovë deri në ditën që ajo u çlirua, kanë bërë vetëm detyrën vëllazërore, duke ndarë me ta kafshatën e gojës", tha Halili, duke kujtuar faktin që pikërisht për bujarinë e treguar nga familjet kuksiane, ky qytet u bë kandidat për çmimin "Nobel" në vitin 1999. Ndërsa zv/kryeministri i Kosovës, Ram Manaj, në fjalën e vet e vuri theksin te mbështetja e gjithanshme e Shqipërisë për Kosovën në ditët e vështira të luftës dhe në vazhdim dhe shprehu me këtë rast mirënjohjen e qeverisë dhe popullit të Kosovës. Ai uroi kuksianët dhe gjithë Shqipërinë për anëtarësimin e vendit në NATO, duke uruar që shumë shpejt kjo të ndodhë edhe me Kosovën. "Fatet e dy pjesëve shqiptare takohen në Bruksel dhe për këtë meritë të veçantë ka Tirana", ka thënë Manaj. Ai ka folur shkurtimisht edhe për arritjet e Kosovës në këto 10 vite, për të cilat ai ka glorifikuar gjakun e derdhur për liri nga dëshmorët e kombit dhe sakrificat e tërësishme të popullit të martirizuar.
Obelisku
Mehmet Tahiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të shoqatës "Eksodi ‘99", duke zbuluar pllakën përkujtimore të obeliskut të madh të ndërtuar nga kjo shoqatë me ndihmën e qeverisë dhe komunave të Kosovës, tha se "ky është një monument i mirënjohjes dhe kujtesës, pasi duke mos harruar të kaluarën do të dimë të ndërtojmë më mirë të ardhmen tonë".
Në vazhdim të aktiviteteve, Bashkia Kukës, në bashkëpunim me qendrat kulturore të Kosovës, ka dhënë një koncert të madh në stadiumin e lojërave me dorë. Në ditën e përkujtimin të eksodit ‘99, qindra familje të Kukësit kanë pritur si mysafirë banorët e lirë të shtetit të Kosovës, të cilët në pranverën e vitit 1999 gjetën strehë dhe solidaritet.
Ekspozitat
Rikthehen dëshmitë
e masakrave serbe
Në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të krizës kosovare, në Pallatin e Kulturës janë çelur dy ekspozita fotografike, një nga Habib Zogaj me dëshmi nga masakrat serbe mbi popullin shqiptar dhe tjetra nga Jonuz Kola, me pamje të fiksuara nga kriza humanitare dhe situata e minave në kufirin me Kosovën. H.Zogaj nga Malisheva, një gazetar në profesion, ish-efektiv i UÇK-së, ka fiksuar me aparatin fotografik masakrat në disa nga fshatrat e Kosovës, ku bien në sy fshatarë të vrarë e të karbonizuar, fëmijë, pleq të ekzekutuar nga ushtria serbe. Fotografitë e kësaj ekspozite kanë ndihmuar më herët edhe Gjykatën e Hagës si dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve të pambrojtur.
Profesori i historisë në Prishtinë, Xhelil Berisha, nuk i përmban lotët teksa sheh në fotografi trupat e dhjetëra viktimave në mesin e të cilëve ai ka njohur disa prej tyre. "Që prej më shumë se 100 vitesh serbët janë përpjekur të shfarosin popullin shqiptar me masakra dhe ta dëbojnë, por mbijetuam falë lindshmërisë së lartë", thotë Xhelili, duke treguar një foto ku ishte trupi i pajetë i një të riu vetën 14 vjeç, të cilin e kishin masakruar serbët. Në këtë kohë afrohet Zogaj, autori i ekspozitës dhe duke treguar edhe një foto të një burri të masakruar përbri, thotë: "Valon Morina, nxënës i klasës së 8-të, u kap nga një grup paramilitarësh serbë, të cilët e nxorën për ta ekzekutuar. Nëna e Valonit u ofroi atyre 1700 marka që kishte familja, në mënyrë që t‘ia falin djalin. Serbët nuk pranuan dhe atëherë doli babai i Valonit e u tha: Më vritni mua në vend të djalit, ndërsa serbët i vranë që të dy. Kjo ka ndodhur më 31 prill 1999, te Kroi i Mëhillit, në malet e Malishevës".