Studentë të UT, në garë për esenë më "të integruar"
Integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike do të pasqyrohet në një konkurs esesh ku do të thyhen këndvështrimet e të rinjve për këtë çështje. Studentët e tri fakulteteve të Universitetit të Tiranës, ata të Shkencave Sociale, Ekonomisë dhe Drejtësisë kanë filluar garën mes tyre për të përgatitur esenë më të mirë. Konkursi që do të përzgjedhë edhe esenë më të pjekur studentore është lançuar dje në ambientet e rektoratit të UT-së. Ky është një bashkëpunim i drejtuesve të universitetit më të madh në vend me Ministrinë e Integrimit, si dhe me shoqërinë gjermane për bashkëpunim teknik (GTZ). Për studentët që do të shpallen fitues me esetë e tyre do të ketë edhe çmime. Sipas përfaqësuesve zyrtarë të Ministrisë së Integrimit, për fituesin e çmimit të parë do të ofrohet një shkollë verore studimi në Gjermani për një periudhë katërjavore, me seminare rreth procesit të integrimit, komunikimit ndërkulturor, tregut të përbashkët. Kreditet e këtyre seminareve do të jenë të vlefshme për studentët në provimet e mëtejshme të tyre rreth çështjeve të integrimit evropian. Për fituesin e çmimit të dytë është menduar të ofrohet një kurs i gjuhës gjermane, niveli i parë, ose i avancuar, nëse i përzgjedhuri ka njohuri. Ndërsa për fituesin e çmimit të tretë është menduar që t‘i bëhet dhuratë një paketë librash. Esetë do të vlerësohen nga një juri me ekspertë të Ministrisë së Integrimit dhe Universitetit të Tiranës. Në këtë konkurs mund të marrin pjesë studentë të vitit të tretë dhe të katërt të këtyre fakulteteve, të cilët do të kenë në dispozicion materiale të Qendrës së Informacionit dhe Dokumentacionit pranë kësaj ministrie. Temat kryesore të eseve do të jenë: përfundimi i procesit të ratifikimit të MSA-së; përfitimet dhe detyrimet që burojnë prej saj; Shqipëria në BE; të prirur për të qenë sa më shpejt anëtarë apo për të përmbushur cilësisht reformat; procesi i integrimit evropian; procesi i vullnetit politik apo i zhvillimit funksional.