E Diel, 1 Nëntor 2026

Metrologjia: Taksimetrat të kenë tarifat në memorie

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nuk do të pranojë asnjë taksimetër, që i mungojnë tarifat e miratuara në memorien e aparatit. Pas miratimit në Këshillit Bashkiak të kryeqytetit të tarifave të përdorimit të taksimetrave për shërbimin taksi në Tiranë, duhet të përfundojë edhe vendosja e këtyre aparaturave në të gjitha automjetet e licencuara. Por paraprakisht të gjitha këto aparatura duhet të kolaudohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, që gëzon të drejtën ekskluzive për një gjë të tillë. Kështu, të gjithë subjektet e licencuara për shërbimin taksi, që do të pajisen me taksimetër, janë të detyruar që të sigurojnë dhe montojnë në automjetin e tyre aparatin përkatës, i cili plotëson kërkesat teknike-metrologjike ligjore. Për këtë çështje, përfaqësues zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme e Metrologjisë saktësuan se "taksimetrat që do të vendosen në automjetet taksi të licencuara për shërbim në qytetin e Tiranës duhet që gjatë instalimit të vendosin në memorien e taksimetrit tarifat konform vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës". Më pas kryhet edhe vulosja (plumbosja) përkatëse. Vetëm pasi të përmbyllet kjo procedurë subjektit të shërbimit taksi i lëshohet dokumentacioni përkatës, përfshirë dhe kartelën e taksimetrit të plotësuar rregullisht në të gjitha zërat e saj.

Në këtë drejtim, mësohet se kjo drejtori ka vendosur që të mos bëjë tolerime, si dhe të mos pranojë për verifikim asnjë taksimetër, që nuk ka të regjistruara në memorie tarifat e miratuara. Aktualisht, në shërbimin e licencuar taksi në kryeqytet janë shpërndarë tre lloje taksimetrash. Dy janë tipa bullgare dhe një është prodhim italian.

Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Metrologjisë, çdo aparat taksimetri që do të instalohet në "automjetet e verdha" duhet të ketë memorie me të dhënat në gjuhen shqipe, si dhe duhet të jetë i pajisur me printer. Kjo për t‘u dhënë mundësinë klientëve që të njihen me vlerën e saktë të shpenzimit që duhet të paguajnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›