Durrës- Kukës, prodhimet shqiptare në tregun kosovar
Ashtu siç pritej, hapja e rrugës Durrës Kukës, po jep efektet e para në zhvillimin e ekonomisë dhe shkëmbimet tregtare me fqinjët. Nga Divjaka, çdo ditë nisen drejt Kosovës mbi 25 tonë produkte bujqësore, kryesisht bostan. Tregtarët që më së shumti vijnë nga Prishtina thonë se hapja e rrugës Durrës-Kukës, ka nxitur shumë zhvillimin e tregtisë mes dy vendeve, e në këtë kohë, kryesisht në prodhimet bujqësore të Myzeqesë. Fermerët e Divjakës thonë se për herë të parë pas shumë vjetësh, nuk u mbetet më prodhim pa u shitur dhe se në krahasim me një vit më parë, shitja është trefishuar. Prodhimet e kësaj zone, po eksportohen edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Poloni e Hungari. Por ky vit ka shënuar një rritje të ndjeshme të vëllimit të eksportit drejt Kosovës dhe tregtarët e dy vendeve e lidhin këtë fakt, me hapjen e autostradës që lidh dy vendet.