E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, 10 shtesa pallatesh pa leje mbeten të bllokuara



Më shumë se 110 shtesa pallatesh të palegalizuara kanë mbetur të bllokuara në qytetin bregdetar të Durrësit. Këto shtesa, të ndërtuara në 15 vitet e fundit, kanë mbetur peng i mospagesës së detyrimeve financiare nga vetë banorët e pallateve, ose nga ndërtuesit, në rastet kur pallatet kanë qenë të reja.

Në Durrës procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ka pasur një ecuri të mirë, por gjithsesi në disa zona ai vazhdon të mbetet i bllokuar. Janë mbi 20 mijë aplikime të arkivuara në degën e ALUIZNI-t në Durrës, të cilat ende nuk po i nënshtrohen procesit të legalizimit.

Aplikimet

Specialistët e kësaj agjencie shprehen se në këtë mori aplikimesh për legalizime dhe bllokimit të procesit, duhej të merrte rrugë të paktën legalizimi i shtesave të pallateve pa leje. Pronarët e tyre janë shprehur të gatshëm që të shlyejnë detyrimet financiare sipas ligjit në këmbim të legalizimit. Por edhe kjo kategori ndërtimesh vazhdon të mbetet e bllokuar.

Brenda 15 viteve të fundit, në Durrës janë ndërtuar 110 shtesa pallatesh pa leje në harkun kohor që shtrihet nga viti 1993. Specialistët e ALUIZNI-t deklarojnë se këto ndërtime janë dy llojesh. Në të parat bëjnë pjesë shtesat në pallatet e ndërtuara përpara viteve ’90, ndërsa të dytat janë pallate të reja, ndërtuesit e të cilëve kanë ndërtuar disa kate më tepër nga sa ishte parashikuar në lejet e ndërtimit.

Rastet

Në rastin e parë, detyrimet financiare duhet t’i shlyejnë banorët e apartamenteve, ndërsa në të dytin, vetë ndërtuesit e pallateve. Por palët janë treguar të gatshëm që të paguajnë detyrimet dhe të legalizojnë objektet e banimit. Në degën e ALUIZNI-t janë të mendimit që kjo kategori nuk ka pse të mbahet e bllokuar dhe shteti të gjejë mekanizmat për ta zhbllokuar atë.

Ndryshe qëndron puna me banorët e shtëpive të ndërtuara në disa zona rreth e qark Durrësit si në ish-Kënetë, në kodrat e qytetit, në Shkozet dhe në plazh. Ata nuk kanë paguar ende asnjë qindarkë në favor të këtij procesi, madje ata kanë refuzuar edhe pagesën për tarifën e shërbimit kundrejt punonjësve të ALUIZNI-t, të cilët kanë përgatitur dosjet për banesat e ngritura pa leje nga ana e këtyre banorëve . Kjo tarifë është 4 mijë lekë dhe shërben për shpenzimet operative në degën e ALUIZNI-t në Durrës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›