Lëndët me zgjedhje, si duhen plotësuar formularët
Plotësimi dhe dorëzimi i Formularit A1 dhe A1-Z, fillon më datë 20 shkurt 2009 dhe përfundon më datë 10 mars 2009
Publikohen formularët e aplikimit për lëndët me zgjedhje. Në ndryshim nga viti i kaluar, janë përcaktuar dy formularë aplikimi, Formulari A1 dhe Formulari A1-Z. Formulari i parë duhet plotësuar vetëm nga maturantët e këtij viti, ndërsa A1-Z nga maturantët e viteve 2006, 2007 dhe 2008. Plotësimi nga ana e maturantëve do të bëhet nga 20 shkurti deri më 10 mars.
Formularët
Ministria e Arsimit pas publikimit të Formularëve A1 dhe A1-Z, së bashku me udhëzimet përkatëse, do t’i dorëzojë në shkolla brenda 20 shkurtit, kur do të nisë edhe plotësimi i tyre nga maturantët. Sipas udhëzimit, plotësimi i formularëve duhet të përfundojë më 10 mars, datë që mblidhen dhe dorëzohen në komisionet përkatëse të Maturës Shtetërore.
A1
Formulari A1 duhet plotësuar nga nxënësit maturantë të vitit 2009. Ai duhet plotësuar me germa kapitale për t’u dorëzuar më pas pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH), ku vazhdoni ose keni mbaruar shkollën. Plotësimi dhe dorëzimi i Formularit A1 fillon më datë 20 shkurt 2009 dhe përfundon më datë 10 mars 2009. Çdo formular duhet të vuloset me vulën e shkollës.
Plotësimi i A1
Tek Formulari A1 duhet të shkruhet emri i DAR ose ZA, emri i qytetit ose fshatit si dhe emri i shkollës. Në bazë të tabelës nr. 1 (Indekset e profileve/degëve), gjendet indeksi i degës ku ju duhet të shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni ose keni ndjekur. Më pas shënoni ID që keni pasur në Maturën Shtetërore 2007, 2008. Ndërsa për nxënësit që duan të vazhdojnë studimet jashtë shtetit shënojnë një kryq (x) në kutinë përbri (po). Kur nxënësi ka mbaruar studimet para vitit 2009, qarkohet shkronja (U). Ndërkohë që tek lëndët dhe notat e shkallëzuara D1 dhe D2 është e vlefshme për nxënësit që kanë dhënë provimet me detyrim në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008. Për nxënësit që kanë mbaruar maturën para vitit 2006, do të vendosen notat ekuivalente me provimet e detyruara. Tek lista e lëndëve me zgjedhje duhen qarkuar dy lëndët me zgjedhje që do të jepni provim dhe numrat që u korrespondojnë.
A1-Z
Ndërsa Formulari A1-Z plotësohet nga maturantët që kanë marrë pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2006, 2007, 2008 dhe që duan të mbartin njërën ose të dyja lëndët me zgjedhje në maturën e sivjetshme. Formulari plotësohet me shkronja të mëdha dhe pasi të jetë plotësuar, dorëzohet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH). Plotësimi dhe dorëzimi i Formularëve A1-Z, fillon më datë 20 shkurt 2009 dhe përfundon më datë 10 mars 2009.
Plotësimi i A1-Z
Në këtë formular duhet shkruar emri i DAR ose ZA, emri i qytetit ose fshatit si dhe emri i shkollës. Ndërkohë që bazuar në tabelën nr. 1, duhet të gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni ose keni ndjekur. Shënohet ID që keni pasur në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008. Nëse jeni pajisur dy a më shumë herë me ID, shënohet ID e vitit të fundit.
Për nxënësit që duan të vazhdojnë studimet jashtë shtetit shënojnë një kryq (x) në kutinë përbri (po). Gjithashtu duhen shënuar lëndët me zgjedhje që do të mbarten dhe nëse lëndët e mbartura janë dhënë provim më shumë se një herë, duhet të shënoni vitin e fundit. Ndërkohë që kandidati nuk mund të mbartë apo të japë dy lëndë me zgjedhje që janë gjuhë e huaj. Nëse kandidati mbart një lëndë me zgjedhje që është gjuhë e huaj, atëherë lënda tjetër me zgjedhje nuk duhet të jetë gjuhë e huaj.