E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullimi i “gabimeve” në formular

12/02/2009  Pranohen ndryshimet deri më 10 mars, pas kësaj date maturanti quhet i skualifikur

Skema e ndreqjes së pasaktësive e njëjtë si për formularin A-1, ashtu dhe për A-1Z

Formularët që plotësohen gabim mund të korrigjohen, por kjo procedurë mund të kryhet vetëm në një afat kohor të përcaktuar. Në rast se tejkalohet kjo periudhë, atëherë dhe kandidati përkatës humbet të drejtën e konkurrimit, pasi aplikimi i tij për shkak të pasaktësive është bërë i pavlefshëm. Ndreqja e gabimeve në formularët e aplikimit bëhet për të dyja kategoritë e maturantëve në të njëjtat afate, si për ata që janë maturantë për herë të parë gjatë këtij viti, ashtu dhe ata që kanë konkurruar në vitet e shkuara dhe në provimet e 2009-s duan vetëm të njohin rezultatet. Për rregullimin e këtyre të dhënave marrin pjesë edhe drejtuesit e shkollës, në mënyrë që kandidati të mos humbasë të drejtën e konkurrimit për provimet që janë vendimtare për pranimet në shkollat e larta. Kështu, në rast se nxënësi ose kandidati ka bërë gabime në plotësimin e formularit, ai mund të plotësojë një formular tjetër A-1, i cili zëvendëson të parin. Po të njëjtën procedurë duhet të bëjë dhe kandidati tjetër që ka plotësuar formularin A-1Z. Zëvendësimi i formularëve mund të pranohet nga komisioni shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij, që është data 10 mars 2009 (dita e fundit e dorëzimit të formularit të plotësuar). Pas këtij afati nxënësi ose kandidati nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime të tjera. Plotësimi dhe dorëzimi i formularit A-1 sipas rregullores së publikuar një ditë më parë fillon më datën 20 shkurt 2009 dhe përfundon më 10 mars 2009. Ndërkohë për të evidentuar të dhënat përkatëse çdo formular duhet të vuloset me vulën e shkollës. Kur nxënësi ka mbaruar studimet para vitit 2009 qarkohet shkronja “U” për të treguar llojin e shkollës dhe klasën që ka mbaruar. Në rastin kur shkolla ka përdorur numra për emërtimin e klasave, mësuesi kujdestar të konvertojë numrin në shkronjë sipas radhës së përcaktuar më sipër. Shënoni me përgjegjësi lëndët dhe notat e shkallëzuara D-1 dhe D-2 për nxënësit që kanë dhënë provimet me detyrim në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008. Për nxënësit që kanë mbaruar maturën para vitit 2006, do të vendosen notat ekuivalente me provimet e detyruara. Në këtë rast ekuivalentimi bëhet në përputhje me dëftesën e pjekurisë origjinale. (Plotësohet në bashkëpunim me drejtorin e shkollës, vetëm për nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2009).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›