E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ-ja ndan mandatet për 12 qarqet



Pas tri orë mbledhje KQZ-ja përcaktoi caktoi dje numrin e mandateve për çdo zonë elektorale për garën e 28 qershorit. Tirana, Elbasani e Fieri kanë numrin më të madh të mandateve, ndërsa Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra kanë numrin më të vogël të tyre. Me ndihmën e Ministrisë së Brendshme, e cila vuri në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e përgjithshëm të shtetasve dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar tek formula e parashikuar në Kodin Zgjedhor, ky institucion arriti të llogariste numrin e mandateve për 12 qarqet e vendit. Në bazë të llogaritjeve, Tirana ka numrin më të madh të mandateve, 32 deputetë, e ndjekur nga Fieri me 16 deputetë, Elbasani, 14, Durrësi 13, Vlora dhe Korça me 12 mandate. Nga qarqet në veri të vendit Shkodra ka numrin më të madh, 11 mandate, ndërsa Berati 8, Lezha 7, duke vijuar me tri qarqet që kanë numrin më të ulët të mandateve që do të kenë në Parlament. Dibra 6 mandate, Gjirokastra 5 dhe Kukësi 4 mandate.

Në bazë të njoftimit të zyrës së informacionit të KQZ-së për mediat, anëtarët e këtij institucioni, pasi kanë marrë të dhënat e kërkuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Ministrisë së Brendshme, kanë llogaritur numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. KQZ-ja, duke marrë parasysh se numri total i shtetasve është 4,249,942, numër që është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ka përcaktuar numrin 30,357, si numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati (numri real i dalë nga pjesëtimi është 30,356.7285714286). Ndërsa numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30,357, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim. Pas këtij veprimi ngelen pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të nenit 75, pika 5 e Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm.

Debatet

Janë dashur dy takime të njëpasnjëshme të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të arritur në vendimin e ndarjes së mandateve të zonave zgjedhore. Kërkesat e përfaqësuesve të PS-së në mbledhje lidhur me të dhënat e ardhura nga Ministria e Brendshme për numrin e përgjithshme të shtetasve në rang vendi dhe në çdo qark çuan në vazhdimin e mbledhjes pasdreke ku i pranishëm ishte drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shprehu dyshimin për pastrimin e më shumë se 40 mijë dublikatave në regjistrin e shtetasve. Më 15 janar KQZ-ja kërkoi të dhënat nga Ministria e Brendshme dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Në datën 28 janar mbërritën të dhënat në KQZ, por më pas këto dy institucione në datën 11 shkurt të këtij viti dërguan të dhëna të tjera ku janë pastruar dublikatat në mënyrë që llogaritja e mandateve të ishte sa më e saktë. Nisur nga diferenca mes këtyre dy shkresave, Subashi kërkoi shpjegime nga ana e ministrisë pse ka diferenca mes dy shkresave që i ka nisur KQZ-së, si janë gjetur dublikatat dhe së treti, a ka një akt të brendshëm Ministria e Brendshme që të veprojë për dublikatat. Nisur nga kjo, Subashi kërkoi shtyrjen e mbledhjes, por kundërshtoi kryetari i KQZ-së, Ristani, i cili u shpreh se nuk mund të shprehim dyshime ndaj çdo të dhëne që na vjen nga çdo institucion, sepse krijohen vonesa në punën e tyre. Megjithatë, në takimin e pasdites Teliti dha shpjegimet e tij mbi pretendimet e përfaqësuesve të opozitës. Armand Teliti bëri të ditur se regjistri elektronik është i pastër, ndërkohë që prej tij janë hequr rreth 50 mijë dublime. Teliti ka theksuar se personat mbi 18 vjeç të cilët pritet të votojnë janë 3.133.248. Projektvendimi për ndarjen e mandateve në rang qarku tashmë i miratuar nga KQZ-ja do t’i përcillet Parlamentit, i cili do të duhet ta miratojë deri më datën 2 mars.

Tabela e llogaritjes së mandateve

Nr. Qarku/ zona zgjedhore Shtetas 2009 Shtetas/ nr mesatar Mandate nga e plota Mbetja Mandate nga mbetja Mandate gjithsej

nr shtetas

1 Berat 233943 7.7064628 7 0.706 21446 1 8

2 Dibër 184659 6.0829677 6 0.083 2519 6

3 Durrës 401628 13.230279 13 0.230 6991 13

4 Elbasan 423116 13.938129 13 0.938 28479 1 14

5 Fier 485623 15.997211 15 0.997 30272 1 16

6 Gjirokastër 159243 5.2457234 5 0.246 7459 5

7 Korçë 352904 11.625232 11 0.625 18980 1 12

8 Kukës 113368 3.7345263 3 0.735 22298 1 4

9 Lezhë 211124 6.9547679 6 0.955 28984 1 7

10 Shkodër 335677 11.057746 11 0.058 1753 11

11 Tiranë 978397 32.229988 32 0.230 6982 32

12 Vlorë 370260 12.196966 12 0.197 5979 12

Totali 4249942 134 6 140

Nr mesatar 30357

Vendimi i KQZ-së për ndarjen e mandateve:

Zona zgjedhore qarku Berat 8 (tetë) mandate

Zona zgjedhore qarku Dibër 6 (gjashtë) mandate

Zona zgjedhore qarku Durrës 13 (trembëdhjetë) mandate

Zona zgjedhore qarku Elbasan 14 (katërmbëdhjetë) mandate

Zona zgjedhore qarku Fier 16 (gjashtëmbëdhjetë) mandate

Zona zgjedhore qarku Gjirokastër 5 (pesë) mandate

Zona zgjedhore qarku Korçë 12 (dymbëdhjetë) mandate

Zona zgjedhore qarku Kukës 4 (katër) mandate

Zona zgjedhore qarku Lezhë 7 (shtatë) mandate

Zona zgjedhore qarku Shkodër 11 (njëmbëdhjetë) mandate

Zona zgjedhore qarku Tiranë 32 (tridhjetë e dy) mandate

Zona zgjedhore qarku Vlorë 12 (dymbëdhjetë) mandate

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›