E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 130 ndërtime pa leje drejt shembjes

Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, ka theksuar se mosveprimi i njësive vendore solli shfaqjen e tyre.

"Njësitë e qeverisjes vendore të tregohen më të përgjegjshme dhe të mos lejojnë lulëzimin e ndërtimeve pa leje," ka kërkuar prefekti Alizoti nga drejtuesit vendorë. Ky mosveprim shfaqet më tepër gjatë periudhave zgjedhore. "Në Durrës, ndërtimet pa leje patën një lloj shtimi gjatë zgjedhjeve," shpjegon drejtori i  INUK Skënder Koni.

Më problematik është fakti se këto ndërtime nuk janë të veçuara, por përbëjnë minizona të mbushura me ndërtime pa leje. Ky fenomen ka detyruar ndërhyrjen e Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar (INUK) për prishje, por edhe për të gjobitur Inspektoratin e Ndërtimit të Bashkisë së Durrësit për moskryerje të detyrës së tij.

"Në të gjithë territorin e Qarkut të Durrësit janë evidentuar mbi 130 ndërtime pa leje të muajve të fundit, kryesisht përgjatë vijës bregdetare. Ngritja e tyre i përket periudhës para dhe pas zgjedhore të 8 majit, kohë gjatë së cilës ra vigjilenca e institucioneve vendore, por edhe u shtuan premtimet", shprehet Koni.

Hyrja së fundmi në fuqi e ligjit nr. 10119, datë 23.04.2009, "Për planifikimin e territorit". Sipas specialistëve ndryshon rrënjësisht procedurën e dhënies së lejeve të ndërtimit. Tani, çdo bashki e komunë duhet të ketë planin e vet të përgjithshëm rregullues si parakusht për dhënien e lejeve të ndërtimit. Nga ana tjetër, planet rregulluese të njësive vendore do të regjistrohen pranë Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit. /A.D/Start/

                                                                                             2011-12-11 13:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›