E Diel, 1 Nëntor 2026

Kardiologjia tërheq mjekët, urgjenca në krizë

Sipas burimeve, pavijoni i Kardiologjisë ka tërhequr mjekët. Çdo ditë, më shumë se 100 urgjenca dhe pacientët marrin serume në karrige

QSUT

Pacientë të ulur në karrige, për të marrë urgjent ndihmën shëndetësore. Korridore të mbushura me njerëz, sa është vështirë të depërtosh për të arritur tek dhoma e mjekut. Ky është realiteti që të ofrohet në shërbimin e Urgjencës së Patologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por, si të mos mjaftonte fluksi i pacientëve që ka mbipopulluar këtë shërbim, pavijoni i Kardiologjisë ka tërhequr mjekët kardiologë, që shërbenin aty, duke e lënë Urgjencën pothuajse zbuluar. Personeli i shërbimit të Urgjencës është ankuar pranë Drejtorisë së QSUT-së për këtë problem, por nuk kanë marrë ende ndonjë zgjidhje.

Tërhiqen mjekët

E ndërsa pavijoni i urgjencës është shërbimi që duhet të jetë gjithmonë, pa asnjë ndërprerje, në funksion të pacientëve, pikërisht në këto ditë të vështira, mjekët kardiologë janë tërhequr nga Urgjenca. Preteksti i drejtuesve të shërbimit të Kardiologjisë ka qenë se nuk mund të mbulojnë pavijonin me mjekë kardiologë, se ka mungesa mjekësh dhe këta të fundit e kanë parë më të arsyeshme t’i tërheqin ata në pavijonin e Kardiologjisë. Personeli i shërbimit të Urgjencës së Patologjisë, të ndodhur përballë kësaj situate të paparashikueshme dhe tepër absurde, kanë kërkuar zgjidhje në drejtorinë e QSUT-së, por ende nuk kanë gjetur zgjidhje. “Në shërbimin e Urgjencës, rreth 60 për qind e urgjencave janë pacientë që vijën me probleme kardiake dhe është absurde që, pikërisht mjekë kardiakë, ka më pak se mjekë të specialiteteve të tjera”,- pohon personeli i shërbimit të Urgjencës, duke shtuar se janë detyruar që, gjatë këtyre ditëve që janë tërhequr, mjekët kardiakë të bëjnë çdo ditë mjekun e rojës, por kjo është shumë e lodhshme për ta. Të ndodhur përballë kësaj situate, personeli i Urgjencës ka kërkuar që drejtoria të marrë masa që të zgjidhë sa më shpejt këtë problem, pasi e kanë të pamundur për të përballuar fluksin e pacientëve.

Fluksi i pacientëve

Fluksi i pacientëve ka mësyrë ditë e fundit drejt Urgjencës së Patologjisë në QSUT. Sipas personelit të këtij shërbimi, ditët e fundit po presin më shumë se 100 pacientë. E ndërsa fluksi i pacientëve është tejet i madh, ky shërbim disponon vetëm 12 shtretër, që janë krejtësisht të pamjaftueshëm për të pritur pacientët. “Është e vërtet që ju shikoni fluks pacientësh që rrinë në korridore dhe në karrige tek marrin serumet, por kjo nuk është për faj të mjekëve, por për faj të mungesës së kushteve dhe organizimit në spital”, - pohojnë mjekët e këtij shërbimi. Sipas tyre fluksi, i ditëve të fundit lidhet pikërisht me luhatjet e temperaturave dhe më të goditurit janë pacientët që vuajnë nga zemra, pasi e kanë të vështirë të përballojnë temperaturat e ulëta.

12 shtretër ka shërbimi i Urgjencës së Patologjisë në QSUT.

100 urgjenca paraqiten çdo ditë në Urgjencën e Patologjisë

Udhëzimi, pacientët kardiakë të shtrohen në të gjitha pavijonet

Të gjitha shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë njohur me një udhëzim të drejtorisë, të padëgjuar kurrë më parë. Madje, disa nga shefat e shërbimit e quajnë absurd, pasi kjo është e paimagjinueshme. Sipas tyre, drejtoria ka udhëzuar se pacientët kardiakë, në mungesë të shtretërve në shërbimet e Kardiologjisë, mund të shtrohen në të gjitha shërbimet e tjera. Kjo do të thotë që, një i sëmurë me zemër, mund të shtrohet në pavijonin e Diabetologjisë, Nefrologjisë dhe kudo tjetër. “Në fakt, kjo nuk është parë e dëgjuar. Çdo pacient duhet të qëndrojë në shërbimin ku janë edhe mjekët që janë specializuar për t’u shërbyer. Nuk ka kuptim që një i sëmurë me zemër të mjekohet pranë një të sëmuri me veshka, apo ndonjë shërbimi tjetër”,- pohojnë mjekët e QSUT-së, duke shtuar se nuk ishin njohur kurrë më parë me ndonjë udhëzim të tillë. Sipas mjekëve, udhëzimi saktëson se mjekët e kardiologjisë duhet të shkojnë pranë këtyre shërbimeve për t’u shërbyer pacientëve me zemër, por mjekët pohojnë se as kjo nuk është zgjidhja e drejtë. “Mendojmë se duhet një administrim më i mirë i shtretërve. Nëse Kardiologjia ka shumë pacientë, atëherë le të zgjerohet si shërbim dhe të mos shpërndahen pacientët sa andej këtej, por të mjekohen në atë pavijon që është i specializuar për sëmundjet kardiake”,- pohojnë shefat e shërbimit të QSUT-së. e.bardhi

Hana: Spitalet të kenë autonomi, ndryshe nuk dalin nga kriza

Spitaleve t’u jepet autonomi për blerjen e medikamenteve dhe shërbimet minimale ndaj pacienteve. Ky është propozimi që bën drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana ndaj Këshillit të Ministrave, sipas së cilës, pas futjes nën skemën e Sigurimeve Shëndetësore të spitaleve, ky hap është i domosdoshëm. “Spitalet duhet të jenë autonome për të vendosur vetë çfarë u duhet të përdorin për pacientin. Duhet të kemi të drejtën për të vendosur në tendera, në mënyrë që të mos gjenden shkaqe për të fajësuar spitalet”, - thekson Hana. Sipas saj, deri në fund të vitit 2009, çdo spital duhet të nxjerrë koston që ka një shërbim, në mënyrë që të dihet jo vetëm fatura financiare, por të shkohet edhe drejt standardizimit të shërbimeve. Në spitale mungojnë barnat, aparaturat dhe shpesh pacientët detyrohen të paguajnë nën dorë. Kjo gjendje, që gjatë muajve të fundit ka kaluar caqet e normalitetit, duke çuar në goditjen me thikë të tre mjekeve, mund të përmirësohet vetëm duke marrë hapa konkretë në shëndetësi nga Ministria e Shëndetësisë, ISKSH-ja, por edhe nga Ministria e Financave. Ndërkohë, u bë e ditur se borxhi që shumë spitale të vendit kanë ndaj palëve të treta, shkon deri në 640 milionë lekë të rinj. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se shumë shpejt do të nisë një reformë për të zbutur krizën, në të cilën gjenden prej vitesh spitalet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›