Partizani, 122 ditë pa fitore në kampionat
Partizani i këtij sezoni po thyen çdo rekord negativ në historinë e tij 62 vjeçare, pasi nuk ishte parë ndonjëherë që shija e fitores midis dy takimeve të zgjaste më shumë se katër muaj. Të kuqtë e nisëm mbarë kampionatin e 70-të, pasi të dielën e 24 gushtit, Partizani fiton 1-0 në fushën e Lushnjës. Por vetëm kaq, sepse kanë kaluar edhe pesëmbëdhjetë javë të tjera dhe ora e fitores së "demave të kuq" ka ngelur te pasditja e 24 gushtit. Sot bëhen plot 122 ditë kalendarike që Partizani nuk e shijon fitoren në kampionat. Megjithëse të kuqtë në shumicën e rasteve kanë luajtur si të barabartë me kundërshtarët, apo kanë qenë më superiorë se ata, përsëri nuk është bërë e mundur që të administrohet një fitore. Mungesa e pikëve ka krijuar një presion të madh te Partizani, pasi duke ditur se ndodhen në zonën rënies futbollistët nuk janë të qetë në mënyrën se si e kërkojnë shënimin e golit. Koha për ndryshim në kampin e kuq mendohet se do të vijë në merkaton e janarit, ku priten përforcime, kryesisht në repartin e sulmit, por nëse ecet me hapin e tanishëm ka mundësi, që merkatoja e dimrit të sjellë kohën për shkatërrim.