E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, 190 zyrtarë kanë fshehur pasuritë



Afërsisht 190 zyrtarë në qarkun e Durrësit janë duke u verifikuar nga Inspektorati i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, si shkelës të ligjit dhe fshehës të pasurive të tyre. Burime nga inspektorati bëjnë të ditur se bëhet fjalë për kryetarë komunash, bashkish, drejtorë ndërmarrjesh, prokurorë, gjyqtarë, madje edhe zyrtarë të SHISH, për të cilët ekzistojnë prova se kanë fshehur pasuritë e tyre.

Shkeljet

Bëhet fjalë për fshehjen e apartamenteve, vilave, lokaleve, trojeve, bizneseve, që ata kanë de facto nën emra të rremë, por që de jure, figurojnë si pronë e tyre. Burime nga IKDP u shprehën për “standard” se “janë dhjetëra e dhjetëra zyrtarë që edhe pse kanë dorëzuar deklaratën e tyre të pasurive, u janë verifikuar prona të tjera shtesë, por që edhe pse në kërkesën e datës 22 dhjetor 2008, ne u kërkuam rideklarimin e pasurive shtesë, ata deri sot mbeten të vonuar, çka tregon mungesë serioziteti, ndaj zbatimit të ligjit dhe tendencës për t’i fshehur të vërtetat e pamohueshme”. Zyrtarët e ILKDP që pritet të zbarkojnë në Durrës, deklarojnë se disponojnë fakte të pamohueshme që lidhen me fshehjen e pasurive të zyrtareve në shkallë qarku. Sipas tyre, “ka gjyqtarë, kryetarë komunash, prokurorë, kryetarë bashkish dhe drejtorë institucionesh, që kanë vila në bregdet, biznese ndërtimi, madje edhe agjenci transporti, të padeklaruara prej të cilave veç konfliktit të interesave, nxjerrin edhe fitime të paligjshme”.

Në prokurori

Aktualisht informacioni ndodhet edhe në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, nga e cila IKDP-ja kërkon nisjen e hetimeve dhe marrjen e masave administrative. Por sipas burimeve nga IKDP, shkelje të tilla të ligjit nuk janë verifikuar vetëm nga zyrtarë të qarkut Durrës, por gjeografia shtrihet edhe në disa qytete të tjera të vendit.

Afati i fundit i rideklarimit të pasurive të fshehura para se ato të bëhen publike, ishte data 5 janar 2009, por duket se fshehësit e pasurive janë të vendosur në atë çfarë kanë deklaruar më parë. Edhe nga burime të ZRPP mësohet se pronat e shumë zyrtarëve kanë një shtrirje të gjerë gjeografike, kryesisht zona bregdetare, duke nisur nga Kallmi e deri në Gjirin e Lalëzit, pasi në regjistra figurojnë të tjera objekte nën pronësi të tyre nga ajo çka kanë deklaruar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›