Biznesi: Vendim i duhur ulja e normës së interesit, pritet efekti tek kreditë
Komuniteti i biznesit ka mirëpritur vendimin e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit të lekut dhe tani janë në pritje që kjo ulje të reflektohet në zbutjen e interesave të kredive. Konfindustria deklaroi dje se mbështet vendimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit për monedhën kombëtare si hap i nevojshëm për kalimin drejt kahut zbutës të politikave monetare nga Banka e Shqipërisë në përshtatje me zhvillimet e fundit ekonomike në vend dhe tregjet globale. Njëkohësisht, Konfindustria thekson domosdoshmërinë e marrjes së masave të duhura nga Banka e Shqipërisë, që vendimi për uljen e normës së interesit për lekun të pasqyrohet në zbutjen reale të kredive në procesin real të kredidhënies nga bankat të nivelit të dytë për bizneset si dhe forcimin e rregullave të Bankës së Shqipërisë bashkëlidhur me kontrollin e zbatimit të tyre për rritjen e detyrueshme të cilësisë tashmë të pakënaqshme të nivelit të “kredive të këqija” ndaj portofolit të përgjithshëm të kredive nga bankat e nivelit të dytë. Komuniteti i biznesit prodhues deklaroi dje se ulja e normës së inflacionit në ekonominë shqiptare si ndikim i importuar nga zhvillimet e fundit të ekonomisë botërore jo vetëm lejon, por bën të detyrueshëm rishikimin e politikave shtrënguese monetare të Bankës së Shqipërisë. Bazuar në të dhënat që vijnë pranë Konfindustrisë nga industritë më të rëndësishme të vendit, duke filluar nga muajt e parë të 6-mujorit të dytë të vitit 2008, sektorë të ndryshëm të industrisë raportojnë ulje të ndjeshme të nivelit të shitjeve. Sa më sipër, është i prekshëm për industritë e minierave, metalurgjike, mekanike, industrisë së prodhimit të letrës për të vazhduar më pas në degë të ndryshme të industrisë ushqimore, sikundër është industria e prodhimit të pijeve alkoolike, industrisë së pijeve joalkoolike, të birrës, të përpunimit të mishit etj. Konfindustria mendon se ulja e normës bazë të interesit do të jetë një veprim që të mos shkojë drejt rritjes së mundësive për fitim si qëllim në vetvete nga bankat e nivelit të dytë, por sadopak do të mund të ndikojë në lehtësimin e problemeve në industritë vendore dhe ekonominë reale në përgjithësi.