E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia i jep azil politik Zylfie Haklajt



Zylfie Haklaj përfiton azilin politik në Suedi. Vendimi është marrë pak ditë më parë, përkatësisht më datë 23 janar, nga gjykata që vendos mbi kërkesat e ekstradimit. Vendimi është marrë pas refuzimit të Suedisë për ekstradimin e saj në Shqipëri, vendim i dhënë nga Gjykata e Lartë suedeze, e cila e argumentoi se gruaja 45-vjeçare nuk duhet të ekstradohet në Shqipëri, pasi “hetimet mbi rastin e saj nxjerrin në pah rrezikun serioz të trajtimit të saj në vendin e origjinës, në bazë të pikës 3 të Konventës së të Drejtave të Njeriut (ECHR)”. Sipas gjykatës, në bazë të informacioneve të vëna në dispozicion nga kreu i Prokurorisë, autoritetet shqiptare nuk mundet t’i sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme gruas. Madje, në arsyetimin e vendimit, gjykata ka cituar një raport të vitit 2007 të Ministrisë së Jashtme suedeze mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Zylfie Haklaj është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vjet burg, vendim i lënë në fuqi nga shkalla e dytë e gjyqësorit dy javë më parë. Akuzohet për vrasje, ngjarje e ndodhur në qendër të Tropojës në vitin 2002, ku kanë mbetur të vdekur dy persona, të cilët ajo i quante fajtorë për vdekjen e vëllait të saj. Por, pas arrestimit të saj në muajin prill, prokurorët kanë vendosur që ajo dhe vëllai i saj 70-vjeçar nuk duhet të ktheheshin prapë në Shqipëri, pasi jeta e tyre ishte në rrezik.

Vendimet

Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin e dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë për të pandehurën e hetuar dhe gjykuar në mungesë, Zylfie Haklajn, e cila akuzohet për vrasjen në mes të Bajram-Currit të Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit. “Shota” e Haklajve u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës dhe po aq e la vendimin edhe Apeli pak ditë më parë. Organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës cilësimin fajtore për veprën penale të “vrasjes me dashje për motive hakmarrjeje” dhe dënimin e Zylfie Haklajt me 25 vite heqje lirie. Sipas prokurorisë, Zylfie Haklaj, vajza e katër vëllezërve të vrarë, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj, është autore e krimit të kryer në zemër të Tropojës. Ndaj, organi i akuzës kërkoi dënimin e saj me 25 vjet burg për veprat penale të “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Gjyqi ndaj Zylfie Haklajt fillimisht nisi në Tropojë, por për arsye sigurie dosja u transferua në Tiranë. Zylfia, vajza e vogël e Muharrem Haklajt, akuzohet si autore e ngjarjes së 2 prillit 2002, ku mbetën të vrarë Rasim Lumneshi, një prej njerëzve më të fuqishëm të Tropojës në vite, Ilir Gosturani, si dhe u plagosën Izet Dusha e Hysen Biberaj. Vrasjet e katër vëllezërve me mina të telekomanduara, snajper dhe prita të sofistikuara, e detyruan Zylfie Haklajt të rrëmbejë armën për të marrë hak për ta. Sapo mori vesh që Rasim Lumneshi, të cilin e akuzonte si shkaktarin kryesor të fatkeqësive të njëpasnjëshme në familjen e saj, ishte në Tropojë, vajza e vogël e Muharrem Haklajt e vuri planin në jetë. Mesditën e 2 prillit të gjashtë viteve më parë, Zylfia arriti ta qëllonte Lumneshin për vdekje. Viktimë mbeti dhe Ilir Gosturani, që ishte në një tavolinë në Lumneshin, si dhe u plagosën dy persona të tjerë. Pasi mori gjakun e vëllezërve, ashtu siç e kërkonte kanuni, “Shota” e Haklajve mundi të arratisej. Emri i saj ndodhej prej shumë vitesh në listën e personave të shumëkërkuar, derisa u kap nga autoritetet suedeze. Tashmë, pas katër vëllezërve të vrarë, i vetmi që ka mbetur gjallë nga djemtë e Muharrem Haklajt është Hamdiu, i cili u arrestua pak kohë më parë në Suedi, por u lirua sërish.

Detaj

23 janar ishte dita kur gjykata e ekstradimeve vendosi të pranojë kërkesën e Zylfie Haklajt për azil politik

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›