Durrës, 29 plumba vëllait pas grindjes

TENTATIVA/ Ismail Kërtusha është vënë në pranga ndërsa akuzohet se ka tentuar të vrasë vëllanë e tij 47-vjeçar
Burime të policisë shprehen se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa autori ka qenë i pirë
Dy vëllezër me origjinë nga një fshat i Ishmit dhe banorë në qytetin e Durrësit konfliktohen me fjalë të rënda me njëri-tjetrin dhe kur temperatura e sharjeve arrin në një pikë kritike, sherri i nisur kërkohet të zgjidhet me armë. Një automatik që ruhej në shtëpinë e vëllait më të madh është nxjerrë nga vendi ku ishte fshehur dhe ndaj të voglit janë qëlluar 29 plumba.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 10 të qytetit të Durrësit kur 62-vjeçari Ismail Kërtusha në gjendje të dehur pas grindjes me të vëllanë ka qëlluar mbi të duke zbrazur automatikun. Pas kësaj ngjarjeje, fqinjët kanë lajmëruar policinë, ndërkohë që i plagosuri është dërguar për në spital.
Ngjarja
62-vjeçari i arrestuar Kërtusha kishte pirë gjithë paraditen, si dhe gjatë drekës. Kur ka shkuar tek shtëpia e vëllait më të vogël 47-vjecar, ky i fundit, sipas fqinjëve, i ka folur Ismailit rëndë për gjendjen në të cilën ndodhej ai.
Duke qenë edhe i pirë, ai është prekur në sedër dhe ka filluar ta shajë rëndë. Mësohet se vëllai viktimë i është përgjigjur sharjeve me sharje dhe kjo i ka hedhur "benzinë" sherrit. 62-vjeçari duket se më pas nuk e ka zgjatur, por ka shkuar dhe ka marrë në banesën e vet automatikun kallashnikov që e mbante pa leje që nga viti 1997, kur edhe kishte lëvizur nga Ishmi në Durrës.
Ai është rikthyer tek vëllai dhe pasi e ka mbushur automatikun, ka qëlluar pothuajse gjithë karikatorin. Breshëria e automatikut ka shkaktuar panik tek fqinjët, të cilët kanë telefonuar policinë për ndihmë.
I plagosuri është dërguar në spital dhe pas ndalimit të hemorragjive, duke qenë në gjendje të rëndë për jetën është dërguar për ndërhyrje më të kualifikuar kirurgjikale në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku pas operacioneve të bëra mjekët kanë deklaruar se ai ka dalë nga rreziku i jetës. Ekspertet e policisë kriminale kanë mbledhur në vendngjarje 29 gëzhoja automatiku të mbetura atje pas "debatit" vëllazëror.
Policia
Policia ka njoftuar se është arrestuar 62-vjeçari Ismail Kërtusha. "Arrestimi i tij u bë për arsye se dyshohet se ky shtetas, më datë 06 prill 2010, rreth orës 17:20, duke qenë në gjendje të pirë, është konfliktuar për motive të dobëta me vëllanë e tij, 47 vjeç, banor i lagjes Nr.10 Durrës dhe në konflikt e sipër ka qëlluar me armë zjarri, automatik model 56, në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur rëndë.
I dëmtuari është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Durrësit e më pas në atë Ushtarak Tiranë, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën". Ndaj 62-vjeçarit janë nritur akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.