Kukës, 36 lypës dëbohen nga Kosova për në Shqipëri

DEPORTIMI/ Gjykata e Kosovës ka vendosur largimin e lypësve romë nga Prishtina për në banesat e tyre
KUKËS - Policia e Kosovës ka dëbuar për në Shqipëri 36 persona të komunitetit rom nga Shqipëria, ku 18 prej tyre kanë qenë fëmijë, ndërsa të gjithë janë kapur duke lypur. Dëbimi i romëve është bërë pikërisht një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Deportimi i tyre është bërë përmes pikëkalimit kufitar Vermicë-Morinë nga policia e Kosovës, ndërkohë që policia kufitare e Kukësit i ka marrë në dorëzim. Banorët e komunitetit rom më pas janë përcjellë për në vendbanimet e tyre në Fier, Fushë-Krujë e Elbasan, ku shpenzimet e transportit janë përballuar nga UNICEF-i.
Ylber Zyberi, drejtor i Kufirit për rajonin e Kukësit, ka bërë të ditur se të kthyerit kanë qenë pjesëtarë të komunitetit rom, 18 prej të cilëve janë fëmijë të cilët nuk kanë pasur asnjë mjet identifikimi me vete. Dëbimi i 36 personave të komunitetit rom nga Shqipëria bëhet pasi ata janë kapur rrugëve të Prishtinës duke lypur.
Mësohet se lypja në rrugë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, konsiderohet si kundravajtje penale dhe personat që ushtrojnë profesionin e lypjes dënohen me gjobë, por dhe me burg.
Nisur nga shqetësimet e fundit që kanë zënë vend lidhur me numrin e madh të personave që kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e Prishtinës , njësiti i komunitetit të stacionit policor në Prishtinë në bashkëpunim me njësitin e dhunës familjare, njësitin e hetimeve, qendrën për punë sociale, kryqin e kuq, kuvendin komunal dhe policinë kufitare, në kuadër të punës së tyre për parandalimin e kësaj dukurie ditën e martë prej orës 07:30 kanë filluar aksionin për largimin e personave që kërkojnë lëmoshë në rrugë.
Gjatë këtij aksioni, policia e komunitetit ka arritur të identifikojë dhe shoqërojë 37 vetë, prej të cilëve 18 kanë qenë fëmijë. Intervistimi i personave të ndaluar është bërë në prezencën e punëtorëve të qendrës për punë sociale dhe njësive të përmendura më lart, të cilat gjithashtu kanë përfunduar procedurat përkatëse.
Në mesin e të ndaluarve, 36 persona kanë qenë nga Shqipëria, ndërsa nga Kosova vetëm 1 person (i rritur). Të ndaluarit janë dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje në procedurë të shpejtë, ku masa e dhënë ka qenë largim nga Kosova. Pas vendimit të marrë nga ana e gjykatës, policia kufitare e Kosovës ka kryer transportimin e këtyre personave në pikën kufitare të Vërmicës për t'i deportuar për në Shqipëri.
Sipas drejtorit të Kufirit të Kukësit, i cili ka pritur kontigjentin e të deportuarve në Morinë, policia e Kosovës kishte shprehur me këtë rast shqetësimin lidhur me veprimtarinë e pakontrolluar të këtyre personave të mitur, të cilët, sipas tyre, mund të merreshin edhe me veprimtari të dyshimtë, përfshi edhe shpërndarje të drogës.
Gjatë marrjes në pyetje, romët janë shprehur se në Kosovë kanë lypur lëmoshë nëpër rrugë. Zyrtarë të luftës kundër trafiqeve në Drejtorinë e policisë së qarkut të Kukësit theksojnë se familjet rome udhëtojnë nga vendbanimet e tyre që janë kryesisht Fieri, Fushë-Kruja, Elbasani, Tirana, Berati, Shkodra etj dhe vendosen përkohësisht në qytetin e Kukësit duke banuar në ish-zonën industriale në ndërtesa të braktisura apo në çadra.
Ky qytet përdoret si trampolinë nga romët për të kaluar në Kosovë. Romët e rritur kalojnë kufirin me pasaporta të rregullta, ndërsa fëmijët me certifikata, por në shumë raste ata kalojnë në Kosovë në mënyrë klandestine përmes kufirit të gjelbërt.
Pasi kalojnë në Kosovë lypësit romë, kryesisht fëmijë dhe gra vendosen në qytetet e mëdha të Kosovës dhe në kryeqytetin e Prishtinës duke lypur, ndërkohë që burrat e këtyre grave dhe baballarët e fëmijëve lypës i mbajnë ata në mbikëqyrje.
Burrat romë kryesisht e kalojnë ditën duke pirë nëpër klube me paratë që kanë grumbulluar gratë dhe fëmijët e tyre. Ndërkohë që gratë dhe fëmijët që nuk grumbullojnë para gjatë ditës duke lypur i nënshtrohen dhunës së burrave në mbrëmje. Në mesin e burrave romë ka edhe tutorë që shfrytëzojnë grupe lypësish romë.