Durrës, 6 000 gra protestojnë për 8 Marsin
PROT(F)ESTA/ Një helikopter ka shpërndarë fletushka ku bëhej thirrje për mbrojtjen e të drejtave të grave
DURRËS - Festa tradicionale e gruas, 8 Marsi, është përkujtuar disi më ndryshe këtë vit në Durrës.
Ajo ka filluar me tufa lulesh të shpërndara në maternitetin e qytetit, më pas tek gratë gardiane e më tej veprimtaria është shoqëruar me një protestë që është zhvilluar prej grave të një shoqate që operon me gratë në nevojë, sipas projektit "Sot për të ardhmen", dhe me fëmijët jetimë të këtij qyteti.
Gjatë protestës një helikopter ka shpërndarë fletushka ku bëhej thirrje për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftën kundër dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Para organizimit të protestës, sipas një pune të planifikuar që më parë, 6000 gra firmosën për 8 Marsin një notë proteste kundër dhunës ndaj grave.
Veprimtaria u bë nën drejtimin e shoqatës "Në Dobi të Gruas Shqiptare", e cila ka kthyer në një traditë të saj protestën masive të grave në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Burrelit e të Pukës.
Në protestën e 8 Marsit ato kërkuan me mjete paqësore e demokratike që të rritet niveli i luftës së shoqërisë kundër dhunës në familje dhe shkeljes së të drejtave themelore të grave.
Për këtë qëllim ato ngritën zërin në mbrojtje të të drejtave të grave nga dhuna e trafikimi, si dhe rritjen e rolit të tyre në jetën socialo-politike të vendit.
Si rrjedhojë, dje u kërkua edhe nga gratë e tjera që të firmosnin, duke kërkuar kështu përkujtimin e 8 marsit të një shekulli më parë kur 129 punëtare humbën jetën duke kërkuar kushte jetese më dinjitoze.
Sipas organizatoreve, pikërisht për këtë kjo ditë ka marrë një kuptim të fortë, pasi përkujtohen sakrificat dhe abuzimet që kanë hequr gratë në rrjedhën e viteve në përpjekjet për të njohur e fituar dinjitetin, lirinë e emancipimin.
Nota e protestës
Nota e protestës u firmos gjerësisht nga qytetaret, numri i të cilave arriti në mbi 6000 vetë kërkonte në të 15 pikat e saj që të respektohen të drejtat grave duke u siguruar atyre jetën e mirëqenien sociale duke i thënë njëkohësisht "Ndal" dhunës në familje.
Përmes notës së protestës kërkuan që të mbështetet roli aktiv e integrues i grave në çdo hallkë të vendimmarrjes.
"Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut!" Kjo ka qenë esenca e tubimeve të bëra në të cilat është theksuar se askush nuk ka të drejtë që të cenojë lirinë e tyre, pasi ashtu si edhe ajo e fëmijëve, ajo është e shenjtë! "Gruaja që lind jetën duhet ta jetojë atë siç e meriton!" janë shprehur protestueset.
Elbasan
"Pallati i Grave" jepet falas
ELBASAN-Me rastin e festës së 8 marsit teatri "Skampa" në Elbasan ka ftuar të gjithë gratë të ndjekin shfaqjen e humorit "Pallati i Grave" falas. Aktiviteti ishte ideuar nga tre shoqata në mbrojtje të grave në qytetin e Elbasanit.
Përfaqësueset e këtyre shoqatave i bënë kërkesë Bashkisë së Elbasanit që të programonte një shfaqje për gratë e qytetit me rastin e festës së 8 marsit. Sipas drejtorit të teatrit Bashkim Paheshti kërkesa e shoqatave të grave u vlerësua nga artistët, të cilët iu përgjigjën menjëherë dëshirës së tyre.
Kjo shfaqje iu rezervua grave edhe për faktin se tema e trajtuar ishte pikërisht për marrëdhëniet burrë-grua dhe ndërrimi i roleve që ka sjellë mjaft nota humori nëpërmjet batutave të aktorëve të njohur të humorit, si:
Salsano Rrapi, Erand Sojli, Erjona Kukeli, Erina Narazanit, Ilmi Belshaku etj. Gratë kanë mbushur sallën dhe kanë përfituar nga kjo ftesë për t'u argëtuar në këtë shfaqje.