Rama: Pas zgjedhjeve, gruaja do ketë rol të ri
Për 8 Marsin, Kryetari i selisë rozë, bëri publike disa nga zgjidhjet, që do të japë programi PS-së për gruan
TIRANË- Gruaja do të ketë një trajtim dhe rol krejt tjetër nga ai që kemi parë deri më tani, në rast se socialistët do të fitojnë zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shfrytëzuar drekën e organizuar me 400 gra, me rastin e festës ndërkombëtarë të gruas, për të prezantuar dhe disa nga objektivat që përmban programi i socialistëve, edhe rolin e femrës në shoqërinë shqiptare, duke evidentuar njëkohësisht gjendjen e rëndë, në të cilën gjendet ajo tani.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, shefi i selisë rozë ka vënë theksin tek niveli i ulët i pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe qeverisje.
Nisur nga një pjesëmarrje e tillë e ulët, Kryetari i opozitës premtoi se do të punojë për rritjen e përqindjes së gruas në Parlament, por pa harruar as rritjen e përqindjes së tyre në poste dhe vendimmarrje ekzekutive.
"Pa ndryshuar radikalisht formën në sistemin vendimmarrës, nuk mund të ndryshojmë shumëçka në jetën tonë të përditshme.
Pa ndryshuar radikalisht në treguesit statistikorë të pjesëmarrjes së grave, jo thjesht dhe vetëm në politikë, por në sistemin ekzekutiv të këtij vendi, nuk mund të kemi as një pushtet legjislativ më të vetëdijshëm dhe më funksional, dhe as një pushtet ekzekutiv më të vetëdijshëm për të garantuar sfidën që kemi përpara", - është shprehur Rama, duke bërë prezent disa nga zgjidhjet që do të japë programi i PS-së edhe për gruan.
Ndërkohë, duke u ndalur tek problematikat e tjera që shoqërojnë gruan në Shqipëri, Rama është shprehur se në vitin 2009, mbi 50 % grave shqiptare, kur bëhen nëna, nuk e përfitojnë lejen e barrëlindjes, se nuk janë mbuluar nga sigurimet.
Për këtë arsye, sipas tij, nënat detyrohen ta braktisin foshnjën qysh në fillim, për t'u rikthyer në punën e zezë, apo në arë, në rastin e grave të fshatit.
Por, PS-ja premton se pas 28 qershorit, asnjë nënë shqiptare, në asnjë qendër apo periferi të vendit, në asnjë fushë apo mal, nuk do të detyrohet që ta lërë më foshnjën vetëm, pasi shteti do të krijojë mundësi që ta mbajë atë në shtëpi, duke ia mbuluar përfitimin nga barrëlindja.
Një tjetër pikë e prekur nga Rama në fjalën e vet, ka qenë dhe dhuna që ushtrohet ndaj femrës. Socialistët, në rast se do të marrin pushtetin më 28 qershor, premtojnë se nuk do të mbeten vetëm tek zbatimi i ligjit për të ndaluar dhunën, por do të forcojnë edhe legjislacionin.