E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen 812 të angazhuar në administratë

08/03/2009  Këshilli i Ministrave miraton shtimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme

Qeveria rrëzon urdhrin e Ministrisë së Arsimit, që hiqte nga puna 3061 mësues me kontratë

Qeveria ka vendosur shtimin e punonjësve me kontratë të përkohshme gjatë këtij viti. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave trupa ministrore mbështeti projektvendimet e propozuara, të cilat kanë në themel të tyre shtimin e këtyre punonjësve. Qeveria ndërhyri në vendimin e marrë në fillim të shkurtit të kaluar, duke theksuar se numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009 për ministritë dhe institucionet qendrore është 2430 punonjës, ndërkohë që ishte 1618 punonjës. Në vendimin e fillimit të muajit të kaluar thuhet se nuk do të zbatohej vetëm për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale vendimi i dhjetorit të vitit të kaluar “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/të përkohshme, për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Në vendimin e marrë në shkurt thuhej se ngarkohej Ministria e Financave për përcaktimin me hollësi të numrit të punonjësve sipas profesioneve dhe me afate kohore brenda kritereve të vendimit të përmendur në pikën e mësipërme. Ndërkohë, sipas vendimit të marrë ditën e djeshme, bëhet e ditur se pas emërtimit Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale shtohen qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore, të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe zyrat e gjendjes civile. Ekzekutivi ka miratuar edhe vendimin që përcakton numrin e punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme për periudhën janar-qershor 2009. Sipas këtij vendimi, numri i punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme për sistemin arsimor parauniversitar për periudhën janar–qershor 2009 për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të jetë 3061 veta. Vendimi vjen në formën e kundërpërgjigjes së urdhrit të pak ditëve më parë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që detyronte këtë numër mësuesish të linin punën përmes ndërprerjes së kontratave të punës. Sipas atij vendimi, mësuesit detyroheshin të linin vendet e tyre të punës për t’u shndërruar në mësues dispozicioni. Shkak për këtë gjë u bë nxjerrja e udhëzimit nga Ministria, i cili parashikonte që rreth 3000 mësues të ndërpresin kontratat e tyre të punës për t’i zëvendësuar ato me orë dispozicioni në shkolla të ndryshme, ku do të caktohen. Këta të fundit do të paguheshin në bazë të orëve mësimore që do të jepnin, sipas një plani të përcaktuar apo nevojave që do të paraqiten. Sipas atij urdhri të Ministrisë së Arsimit, ky ndryshim do të ndikonte në pagesën e këtyre mësuesve, e cila nuk do të ishte më rrogë bazë, siç përcaktohej në kontratën e punësimit, por në bazë të orëve mësimore që do të jepnin. Reforma e përcaktuar për këtë kategori tregon se edhe në rastet kur këta mësues do të zëvendësonin arsimtaret me leje lindjeje, do të përfitojnë pagesën që llogaritet të jetë 250 lekë ora e mësimit. Kështu që mësuesit që deri më sot kishin pasur një kontratë njëvjeçare, duke dhënë mësim në shkolla të caktuara për mbulimin e lejeve të lindjes, sëmundjesh të mësuesve, dhe kur kishin probleme të tjera për të cilat nuk paraqitshin në shkollë, nuk do të trajtoheshin më me rrogë fikse. Por mësuesit dhe sindikata e tyre reaguan ashpër për shkak të reduktimit të pagesës financiare që do të shpërndahet sipas orëve që do jepnin mësim. Duket se duke marrë në konsideratë këtë reagim, ky urdhër i Ministrisë duket se nuk është pritur aspak mirë nga Kryeministri Sali Berisha. Pikërisht në mbledhjen e djeshme të qeverisë u anulua ai urdhër.

Institucionet

Kuvendi i Shqipërisë

Këshilli i Ministrave

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Ministria e Financave

Ministria e Punëve të Jashtme

Shërbimi Informativ Shtetëror

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Gjykata Kushtetuese

INSTAT

Autoriteti i Konkurrencës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›