E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, ALUIZNI bllokon legalizimin në zona të rrezikuara nga rrëshqitja e dheut

Agjencia e Legalizimit të Ndërtesave Informale nuk ka dhënë miratimin për legalizimin e dhjetëra objekteve të vendosura në kodrat e Durrësit, për shkak të rrëshqitjes së dheut, që si pasojë mund të shembte të gjitha ndërtesat. Pas skandalit me shembjen e pallatit në Gjirokastër, specialistët e ndërtimit në Durrës, si dhe arkitektët, japin alarmin se i njëjti fenomen mund të përsëritet një ditë të bukur edhe në Durrës. Sipas tyre, është një numër i madh ndërtesash të ndërtuara përgjatë kodrave të Durrësit, të cilat rrezikojnë të shemben për shkak të formacionit të rrëshqitshëm e terrenit të ndërtimit të tyre, pa projekte inxhinierike. Po ashtu edhe dega e ALUIZNI dega e Durrësit, pas një studimi të kryer jo shumë kohë më parë, skualifikoi një numër të madh prej këtyre banesave nga procesi i legalizimit. Kodrat e Durrësit të cilat shtrihen në një vijë prej 6 kilometrash, përbëhen nga formacione toke të krijuar nga shtresa dheu të butë dhe të pastabilizuara, të cilat krijojnë vështirësi për ndërtime, e megjithatë përgjatë kodrave, pas viteve ’90 e në vazhdim janë ndërtuar rreth 4 mijë banesa pa leje.

Statistikat e banesave

Durrësi ka të evidentuara rreth 100 shtëpi banimi, të cilat kanë pësuar dëmtime të strukturës së tyre, që manifestohen me çarje muresh dhe me deformime të konstruksionit të tyre. Ato ndërtesa ndodhen përgjatë kodrave të qytetit. Sistemi kodrinor zgjatet nga qendra e qytetit dhe përfundon në Porto-Romano. Shtëpitë janë pjesë e numrit gjigant të ndërtimeve pa leje të ndërtuara pas viteve ’90 në Durrës. Sipas një vëzhgimi të realizuar nga Agjencia e Legalizimit, më të rrezikuarat janë ndërtesat e ngritura përgjatë faqeve të kodrave, pasi bazamentet e tyre janë të pastabilizuara.

Pothuajse që të gjithë pronarët e këtyre ndërtimeve kanë aplikuar për t’i legalizuar ato pranë ALUIZNI-t të Durrësit. Edhe pse ky rajon nuk është miratuar ende nga ana e strukturave të shtetit, si një zonë informale, specialistët e ALUIZNI-t kanë studiuar pjesën më të madhe të banesave dhe kanë evidentuar banesat më problematike. Në bazë të këtij studimi rezultojnë gati 100 shtëpi që rrezikojnë të shemben. Ato kanë pësuar plasaritje të mureve dhe deformime të kolonave që mbajnë banesat për shkak të shkarjes së dherave. Këto banesa janë skualifikuar nga procesi i legalizimit, bëjnë me dije burime pranë kësaj agjencie. Gjithashtu, nga ky proces janë përjashtuar edhe 140 banesa të ngritura në këtë sistem, pasi kanë bllokuar kolektorin e ujërave të larta.

Cilat janë shkaqet

Sipas specialistëve të ndërtimit, dy janë shkaqet më kryesore prej të cilave banesat kanë pësuar dëmtime të rrezikshme. Shkaku i parë është ndërtimi pa kryer studimin gjeologjik të trojet mbi të cilat janë ngritur. Ndërsa i dytë është ndërtimi pa projekte inxhinierike të tyre. Pjesa më e madhe e shtëpive janë ngritur nga ndërtues popullorë të palicencuar për këtë aktivitet. Sipas urbanistëve të vjetër të Durrësit, të cilët e njohin mirë strukturën e kodrave, ndërtimi i këtyre objekteve duhej të ishte realizuar me pilota të thella deri në 10 metra. Një masë e tillë do të evitonte deformimet e kolonave nga shkarjet e dherave. Banesat e dëmtuara ndodhen më dendur në zonën e spitalit, në atë të Kodër-Vilës si dhe sipër “Lagjes së Re”. Shpeshherë banorët e Durrësit janë bërë dëshmitarë të shkarjeve masive të dherave, të cilat kanë përfunduar brenda shtëpive, madje edhe të kateve përdhese të pallateve, si dhe kanë bllokuar segmente të tëra të rrugës së Currilave. Fenomeni nuk ka kursyer as Vilën e Zogut.

Durrës, 2 mijë makina të bllokuara e të pazhdoganuara

Me mijëra automjete të shpërndara në të gjithë vendin qëndrojnë të bllokuara për shkak se nuk janë zhdoganuar. Automjetet kanë disa vjet që kanë hyrë në vendin tonë, por për arsye të ndryshme pronarët e tyre nuk i kanë zhdoganuar ato. Poseduesve apo pronarëve të këtyre mjeteve, nëse dëshirojnë t’i zhdoganojnë ato, veç taksës doganore iu duhet të paguajnë edhe taksën e qëndrimit në territorin shqiptar, e cila kap shifra tepër të larta. Sipas burimeve doganore, “një pjesë e madhe e pronarëve kanë kohë që kërkojnë zhdoganimin e makinave, por të kushtëzuar me shmangien e taksës ditore të qëndrimit”. Por nëse këto automjete do të arrinin të kryenin zhdoganimin, atëherë shteti do të arkëtonte shuma të mëdha parash në buxhetin e tij”. Në doganën e Durrësit deklaruan për “standard” se “vetëm pas vitit 2000 deri sot, në territorin shqiptar kanë hyrë me mijëra automjete, të cilat nuk janë zhdoganuar për shkaqe nga më të ndryshmet”. Në Durrës mendohet se janë rreth dy mijë automjete, të cilat ose qëndrojnë të bllokuara nëpër garazhe dhe parkingje apo qarkullojnë me dokumente false, pasi nuk kanë kryer procesin e zhdoganimit. Një pjesë e madhe e pronarëve të këtyre automjeteve i janë drejtuar disa herë doganës, për të mundësuar zhdoganimin e mjeteve që disponojnë, por janë kthyer mbrapsht, pasi shumat që iu duhet të paguajnë janë të larta. Por përveç doganës, atyre iu duhet të paguajnë edhe taksën e qëndrimit, e cila llogaritet 1 euro në ditë për makinat e vogla dhe 1.5 euro për makinat e mëdha. Në bazë të këtij ligji, i bie që pronarit të një autoveture i cili ka 2 vjet që e mban mjetin të pazhdoganuar i duhet të paguajë 730 euro për taksën e qëndrimit në territorin shqiptar dhe më pas të procedojë me taksën doganore që është gjithashtu mjaft e lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›