E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Sistemi financiar s’ka mbështetjen e duhur ligjore

Stabiliteti i tregut financiar do të ishte më i garantuar nëse do të kishte një mbështetje të fortë nga ana ligjore. Një argument i tillë vjen nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili tha dje se tregu financiar në Shqipëri nuk ka mbështetjen e duhur ligjore për të mirëfunksionuar. Këtë deklaratë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e bëri dje gjatë një takimi me përfaqësues bankash dhe të drejtësisë, duke sjellë në vëmendje shqetësimin konkret në bankave të nivelit të dytë në shumë raste, kur ato nuk mundin të sigurojnë nga Përmbarimi detyrimin e një kreditori kur ai nuk është korrekt me bankën. Në shumë raste, konfliktet mes bankës dhe kredimarrëseve kanë kaluar në dyer gjykatash apo gjetkë pa mundur të rithithet kapitali në bankë. Kjo ka çuar, sipas Fullanit, në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare. Fullani, duke iu referuar këtyre fakteve, ka theksuar rëndësinë që ka një kuadër ligjor të mbështesë ecurinë e stabilitetit bankar. “Që vendi ynë të lundrojë drejt brigjeve të sigurta të zhvillimit ekonomik, stabilitetit financiar, i duhen të dyja rremat, rendi juridik dhe tregu financiar", - tha Fullani. Sipas tij, palët jo vetëm që duhet të jenë në dijeni të këtyre të drejtave, por duhet të kenë mundësinë që t’i ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të plotë ato, si gjatë lidhjes së marrëveshjes, ashtu edhe në rast konflikti. Për këtë arsye, roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës, janë tipare thelbësore, deformimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit financiar. “Paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekare në veçanti dhe kredia në tërësi zënë, në krahasim me vendet e tjera. E gjithë kjo problematikë, ende e pazgjidhur ligjore, ka ndikuar drejtpërdrejt në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare. Sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve, duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia kontraktuale e akordimit të kredisë. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë”, - tha Fullani. Guvernatori vuri në dukje se elementet e rrezikut që shoqërojnë këtë marrëdhënie, janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. “Shkarazi, mund të them se ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me radhë”. Sipas Fullanit, materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve do të sillte vështirësi për bankën. Megjithatë, Fullani argumentoi se Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës, e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë për çdo një lek kredi të kërcënuar. “E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndihen të pafuqishëm, ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme”, - ka shprehur shqetësimin Guvernatori Fullani. Nisur nga kjo, Fullani theksoi nevojën se tregu bankar dhe ai financiar nevojiten të ndërtohen dhe zhvillohen paralelisht me sistemin ligjor. “Nuk mund të ketë transaksione financiare vendase apo ndërkufitare, nëse nuk ka siguri në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave kontraktore”, - ka nënvizuar Guvernatori. Ai tha se vetëdija dhe ushtrimi i këtyre të drejtave, gjykimi i pavarur në rast mosmarrëveshjeje, koha e arsyeshme në zgjidhjen e konfliktit, eficenca dhe shpejtësia e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë garancitë më të mëdha jo vetëm për investitorët vendas dhe të huaj, por në radhë të parë, për vetë tregun. Guvernatori bëri me dije se Banka e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet e saj në këtë drejtim, ku ai veçoi mbrojtjen përpara Gjykatës Kushtetuese të cilësimit të kontratave bankare dhe financiare si tituj ekzekutivë. Janë të njëjtat argumente që mbështesin ndryshimet ligjore në ekzekutimin e hipotekave dhe kolateraleve dhe këto ndryshime, aktualisht po diskutohen në Kuvend dhe po priten me shumë interes nga tregu.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›