E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për dhe përtej lidhjes tradicionale gjuhë-komb

Në debatet që u bënë lidhur me problemet e identitetit tonë kombetar, si edhe në zgjatimet e tyre të mëpastajme, sidomos përsa i përket afërsive të këtij identiteti me atë europian, është prekur edhe çështja e gjuhës, më konkretisht akoma, ajo e alfabetit tonë latin apo e dialekizmave të shqipes.

Nuk vihet fare në dyshim se gjuha e përbashkët na përmbledh në unitet si komb, por megjithatë, ka vend që vërtetësia e kësaj ideje të shqyrtohet duke u nisur nga arritjet e padiskutueshme të mendimit politik, shoqëror dhe shkencor që përben tashmë një traditë të vyer dhe të pashlyeshme, që duhet ruajtur dhe forcuar, por edhe në kushtet e reja të globalizimit, të arritjeve shkencore të sotme, si edhe të kushteve të reja në të cilat kryhet kultura dhe gjuha e shqiptarëve në kushtet shoqërore të sotme.

1. Autonomia relative e kodit nga përmbajtja e mesazhit

Këtu e kam fjalën jo thjesht për gjuhën si një realitet që studjohet nga linguistët, por më tepër për kodin dhe teknologjinë gjuhësore të komunikimit, pra realitetin që ekziston brenda një universi intelektual që i trajton shprehjet gjuhësore si akte komunikimi.

Në shkollat e sotme të komunikimit theksohet se midis shprehjes thjesht gjuhësore dhe përmbajtjes kuptimore të gjuhës si akt komunikimi, veç anëve të përbashkëta, ka edhe shumë dallime. Gjithësesi, këto dy realitete nuk mund të njehsohen mekanikisht me njeri tjetrin dhe as nuk mund të ngatërrohen midis tyre.

Në këtë këndvështrim gjuha dhe alfabeti janë kode komunikimi, por edhe teknologji komunikimi, pra një lloj medie. Pra, paraqiten si bartës materialë mesazhesh të dhënë nëpërmjet aktesh të caktuara komunikimi, brenda kontekstesh të caktuara kuptimore dhe rrethanore, me përmasa që, në fakt, përcaktohen prej tipareve të kulturës shpirtërore të një kombi a grupi të caktuar shoqëror.

Parë kështu nuk mund të mos thuhet edhe se kodet dhe teknologjitë e komunikimit, mediat, si mjete materiale, shënja apo infrastruktura teknologjike, nuk mund të barazohen mekanikisht me kuptimin interpretativ që ato bartin. Së paku, është e qartë se nuk mund të barazohen gjithnjë me kuptimin që ato transmetojnë. Brenda një konteksti të dhënë, shpesh herë, me kode dhe infrastruktura të ndryshme komunikimi sikurse janë ato që ngjizen brenda alfabeteve dhe gjuhëve kombëtare të ndryshme, mund të shprehet e njëjta përmbajtje kuptimore, e njejta semantikë, i njejti mesazh, e njejta vlerë qytetërimi. Por, edhe e anasjellta është po kaq e vërtetë: Me të njejtat mediat, kode, tekonologji bartjeje të mesazheve mund të përcillen përmbajtje kuptimore krejt të ndryshme, ndoshta edhe të kundërta midis tyre.

Midis kodeve dhe mesazheve që ata transmetojnë ka lidhje reciproke, por, ka, pra, edhe një pavarësi të një niveli shumë të lartë.

Kjo shfaqet në të gjitha llojet e shenjave që shprehin gjuhë të mbështetura te fjalët, por edhe gjuhë joverbale, apo gjestuale. Kur një perëndimor ngre gishtin e madh të dorës lart ndërkohë që të gjithë gishtat e tjerë janë të mbledhur grusht, me këtë ai dëshëron të thotë se gjithçka shkon në rregull, apo diçka të përafërt me të. Por, kur një shqiptar bën të njejtin xhest, tradicionalisht, me këtë ai dëshëron të thotë se ka një qendrim rezistues, ndalues, apo refuzues ndaj diçkaje. Kodi material, shenja, bartësi material i mesazheve këtu janë pra të njejtë, por kjo nuk pengon fare që kuptimi virtual i përmbajtjes së tyre të jetë i ndryshëm nga një kulturë te tjetra.

Kur një perëndimor tund kokën poshtë e lart, me këtë, ai do të thotë se e pohon diçka, do të thotë « Po ». Kurse, kur një shqiptar tradicionalisht bën të kundërtën, pra e lëviz kokën horizontalisht, atëhere ai mund të thotë përsëri « po », pra pohon diçka. Në këtë rast shënja, kodi, bartësi material i mesazhit është i ndryshëm, ndofta edhe i kundërt, mirëpo kjo nuk pengon që përmbajtja semantike e tyre të jetë e njejtë.

E themi këtë për të vënë theksin se alfabeti latin, një arritje me pasoja tepër pozitive për kulturën shqiptare, një monument i zgjuarësisë dhe i patriotizmit shqiptar, i cili na ka dhënë shanse të papara, të pazëvendësueshme, për të qenë në kontakte me Perëndimin, me Europën, përsëri nuk na bën të themi se ai në mënyrë automatike, të vetvetishme, pa punë, pa sforco të mëdha kulturore, pa një emancipim tërërsor të kulturës sonë kombëtare, mund të na bënte të fitonim automatikisht një identitet të mirëfilltë europian. Kjo përpjekje titanike për të pohuar vlerat europiane të qytetërimit tonë euopian, që s’duhet ndalur në asnjë çast, nuk do të mund të realizohej thjesht dhe automatikisht prej teknologjive materiale apo kodeve të komunikimit, sikurse është edhe alfabeti apo gjuha, por prej përpunimit në rradhë të parë të një përmbajtjeje shpirtërore që ne arrijmë t’a shprehim me anë të akteve të komunikimit duke përdorur gjuhën dhe alfabetin tonë të pajetërsueshëm.

Është e padiskutueshme që alfabeti ynë latin, të cilin e përkujtojmë qysh prej Mbledhjes historike të Kongresit të Manastirit, na ka ka ndihmuar në mënyrë të ndjeshme dhe vendimtare për t’i qendruar pranë kulturës perëndimore dhe për të shkëmbyer lehtësisht dhe natyrshëm vlera të ndryshme kulturore dhe artistike me të. Në këtë mënyrë shqiptari ka mundur t’i mësojë më kollajshëm gjuhët perëndimore, të huazojë në mënyrë më masive fjalë, pra edhe vlera dhe koncepte, të prejardhura nga popujt e krishterë dhe latinë, si edhe të zhvillojë një përmasë të rëndësishme qytetëruese që bazohet atje. Sidoqoftë, të gjitha këto pohime nuk na çojnë medoemos te ideja se alfabeti, kodi alfabetik, gjuha si tërësi shenjash materiale, përcakton në mënyrë fatale dhe të njëanëshme, identitetin kombëtar të dikujt marrë individualisht apo brenda një grupi etnik.

Identitetin e krijon në rradhë të parë përmbajtja kuptimore e komunikimit dhe jo thjesht teknologjitë e tij, pra mediat si infrastruktura materiale. Edhe në rastet sikurse i yni, nuk është gjuha në vetvete që krijon bashkësinë e vlerave dhe të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare.

Nuk është vetë gjuha, pra, vetë alfabeti, por ndërgjegja refleksive e të pasurit të një gjuhe të përbashkët, ndërgjegjia e të pasurit të këtyre pasurive të pazëvendësueshme, të cilat përbëjnë elementet shpirtërore të themelimit të konstitutimi kombëtar. Nuk është ana materiale, por ndërgjegjia e përbashkët e ekzistencës kësaj ane materiale që hyn në themelet e një ndjenje të përbashkët përkatësie kombëtare.

Parë në këtë këndvështrim, duhet trajtuar me arritjet dhe kufizimet e veta një trajtim tepër materialist dhe determinist i çështjes, i cili do të pretendonte që shënjat, kodet, teknologjitë e komunikimit të përcaktonin deri në fatalitet edhe përmbajtjen e mesazheve që ata përcjellin. Sikurse shkruan Roland Barthes kjo do të bënte që dukuritë me karakter shpirtëror sikurse është ndërgjegjia kombëtare të trajtoheshin si elemente thjesht materiale dhe hapësinore. Do të kishim thjeshtëzimin e elementeve shpirtërore në sisteme hapësinore dhe materiale shenjash. Do të kishim ndër të tjera edhe thjeshtëzimin e të shënjuarit te shënjuesi.

Studiuesja Stella Ting-Toomey e quan me të drejtë gjuhën si « shenjë emblematike e përkatësisë grupale… Duke folur një gjuhë të përbashkët, anëtarët sinjalizojnë solidaritetin grupal dhe lidhjet e tyre » Si shenjë materiale kufijsh kombëtarë gjuha luan një rol të pazëvendësueshëm. Por, veç këtij funksioni, ajo ka edhe funksione të tjera, të cilat kanë të bëjnë me identitetin shpirtëror të grupit që e përdor atë, pra me funksionet arsyetues, interpretues, perceptues si edhe atë krijues. Në këto funksione të tjera, alfabeti mbetet një kod pa peshë ekskluzive në karakterizmin e identitetit kombëtar dhe vetë kuptimi i parë i fjalëve mund të shkëputet nga kuptimësia e tyre fillestare dhe të marrë një kuptimësi interpretative shumë të ndryshueshme në universe kulturore të ndryshëm.

2. Jo një, por disa forma gjuhësore brenda një gjuhe

Kur flitet për gjuhën si element konstitutimi i identitetit kombëtar shqiptar, jo si ndërgjegje e kësaj gjuhe të përbashkët, por vetëm si element material, këtu do të duhej të mbanin parasysh tre nivele të ndryshëm gjuhësore, tek të cilët çështja shtrohet krejt ndryshe në krahasim me njeri tjetrin.

Sikurse shprehet Roland Barthes, ndryshe shtrohet çështja për gjuhën e poezisë, ndryshe për atë të matematikës, dhe krejt ndryshe në gjuhën e përditshme, e cila i ngjan më shumë një gjuhe mitologjike.

Pra, nuk flitet për një sistem të vetëm gjuhësor, por për nivele të ndryshme brenda gjuhës kombëtare. Nuk ka aq kuptim të pyetet nëse gjuha është element identiteti kombëtar, sesa të pyetet se cila nga format gjuhësore të përdorura nga një komb, apo sistem shenjash gjuhësore midis shumë syresh, është i lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin kombëtar ?

Gjuha e poezisë kombëtare është në mënyrë prioritare dhe në vetvete një realitet që edhe në planin e saj material, pra thjesht si kod komunikimi, përbën një element identiteti kombëtar. Poezia nuk është thjesht një përmbajtje kuptimore, por është në specifikën e saj, para së gjithash, edhe një univers muzikal tingujsh, univers ndjenjash të dallueshme nga njeri komb te tjetri. Ky aspekt e ben gjuhën poetike në vetvete të ndryshme për çdo kulturë kombëtare. Përkthimi fjalë për fjalë e fonemë pas foneme, automatikisht, i një poezie në gjuhë shqipe tek një gjuhë e huaj mund t’i humbiste asaj krejtësisht specifikën e një gjuhe poetike. Kjo ndodh, sikurse shkruan Roland Barthes, sepse gjuha e përdor fjalën edhe si kuptim edhe si send, si tingull material, edhe si përmbajtje edhe si formë, pra, vetëm ajo jep kuptimin e fjalës në vetvete. Kuptimi i mesazhit dhe kodi material i tij këtu përbëjnë një lidhje thuajse të pandashme. Barthes thekson : « Poezia bashkëkohore është një sistem semiologjik regresif. Nëse miti synon drejt një mbi-shenjëzimi (pra, kodit material i jep një kuptim dytësor të pavarur nga vetë kodi. Shënimi i autorit), synon drejt amplifikimit të një sistemi parësor shenjash, poezia, në të kundërt synon të gjejë një nën – shenjëzim, një gjendje parasemiologjike të gjuhës, me një fjalë, ajo përpiqet t’a ritransformojë shenjën në kuptim, ideali i saj i fundit është që të arrijë jo kuptimin e fjalës, por në kuptimin e vetë sendeve. »

Pastaj kemi një nivel të dytë të gjuhës që është ajo e matematikës apo e shkencave. Këtu, pavarësisht se kemi elemente gjuhësore të veçanta, mbretëron pak a shumë një kuptim rigorizisht i njejtë i fjalëve dhe i fjalive të përdorura. Kjo lloj gjuhe, sado e ndryshme qoftë në kombe të veçantë, apo sado që formulat matematikore të shoqërohen nga fjali gjuhësisht të ndryshme, kuptimi i tyre është universal. Ai i kapërcen dukshëm veçanësitë komëtare. Këtë Roland Barthes e quan « kuptim i patjetërsueshëm i matematicitetit »

Ndërkaq, gjuha e prozës i ngjan më shumë asaj të mitologjisë. Mbi kuptimin e parë të fjalëve ngrihet një univers i dytë kuptimor. Fjalët e prozës sikurse vetë sistemi i shenjave të mitologjisë, kuptohen brenda disa përfytyrimeve konceptuale dytësore, të cilat janë karakteristika të një grupi shoqëror që ndan vlera morale, shoqërore apo psikologjike të përbashkëta. Kuptimësia mitologjike e prozës i jep çdo fjalie një përmbajtje semantike të veçantë brenda një universi kuptimor kombëtar. E njejta fjalë e gjuhës kombëtare mund të marrë kuptime të ndryshme në lidhje me aktorë gjuhësore të ndryshëm brenda të njejtit komb, sikurse e njejta fjalë në gjuhë të ndryshme mund të marrë kuptim të njejtë tek përdoruesit e saj respektivë, me identitete kombëtare të veçanta. « Në fakt, shprehet Roland Barthes, asgjë nuk mund t’i shpëtojë forcës goditëse të mitit, miti mund t’a zhvillojë skemën e vet dytësore duke u nisur nga çdo lloj kuptimësie, dhe ne e kemi parë, ai mund të niset biles edhe nga privimi i fjalës nga çfarëdolloj kuptimi. Por, jo të gjitha gjuhët i rezistojnë mitit në të njejtën mënyrë. Gjuha, që është të folurit zakonisht i vjedhur nga miti, ofron një rezistencë të dobët...kuptimësia mundet që aty të interpretohet pa rreshtur.»

3. E njejta gjuhë mund të përdoret nga kombe të ndryshme

Në të vërtetë, sipas Maks Weber, shprehur në një nga librat e tij themeltarë të sociologjisë moderne, një komb mund t’a formësojë unitetin e vet kombëtar nisur nga baza të ndryshme dhe të dhëna krejt specifike nga një popull te tjetri. Diku, ky element formësimi material mund të jetë më tepër gjuha, diku tjetër ndofta raca, diku gjetkë kujtesa e së shkuarës, në një rast tjetër urrejtja apo edhe frika nga popujt fqinjë, po kështu mund të jetë edhe feja si element dallues, apo edhe disa prej këtyre elementëve sëbashku, sikurse mund të jetë edhe vetëm bashkësia e interesave politike, çka edhe ka ndodhur. Kjo varet nga konteksti i jetës së çdo populli, ose sikurse shprehej Maks Weber, edhe nga statusi shoqëror i çdo shtrese të caktuar shoqërore. Por, në çdo rast, komuniteti kombëtar është një univers shpirtëror, ndjesie, vullneti, kujtese kolektive dhe ndërgjegjie i anëtarëve për t’u konsideruar si pjesë e të njejtit grup me vlera morale, psikologjike, shoqërore, etj., të përbashkëta. Në këtë kuptim, tjetër është aspekti material që e mundëson këtë bashkësi vlerash të përbashkëta, dhe tjetër janë vetë këto vlera shpirtërore në vetvete. Dallimi midis tyre është po ai si në rastin e dallimeve midis kodeve të komunikimit dhe përmbajtjeve të komunikimit, midis mediave dhe mesazheve që ato përcjellin. Sado të lidhura të jenë midis tyre, përsëri ato kanë shumë dallime dhe autonomi. Duke iu referuar gjuhës, Maks Weberi shkruan : « Por, bashkësia e gjuhës, nuk mjafton as ajo, për të realizuar atë që quhet « bashkësi kombëtare »…irlandezët, zviceranët dhe alzacienët gjermanofonë janë prova e kësaj : këta nuk ndjehen, - të paktën në kuptimin e plotë të fjalës – si anëtarë të të njejtit komb të përkufizuar nga gjuha e tyre. Nga ana tjetër, dallimet gjuhësore nuk përbëjnë një pengesë absolute për krijimin e ndjenjës së bashkësisë « kombëtare » : Alzacienët e gjuhës gjermane ndjehen prej kohës, edhe në ditët tona, në shumicën e tyre, pjesë përbërëse e kombit francez. »

Brenda një identiteti të mirëfilltë europian gjenden edhe ato kultura qytetërimi që shprehen me alfabete jolatine sikurse janë ato greke dhe te sllavëve të Jugut, për të mos u shtrirë më tutje. Po kështu, diasporat arabe apo afrikane që jeton në Perëndim, në mjaft raste, nuk mungojnê të përdorin si alfabet të vetëm të gjuhës së tyre atë latin, të adoptuar në vendin e tyre pritës, por kjo nuk e bën kërkënd që të pohojë se këto grupe shoqërore paskan medoemos një identitet kulturor europian. Në shumë raste ata qendrojnë, përkundrazi, të mbyllur brenda vlerave të tyre jashteuropiane.

Gjuhët e popujve të ndryshëm kanë pas ekzistuar shumë e shumë përpara sesa të krijoheshin kombet dhe të spikateshin identitetet e tyre kombëtare. Por, s’është vetëm kjo anë që ka peshë. Kombe të ndryshme që dallohen fuqishëm mes tyre nga pikëpamja e identiteteve kombëtare, si gjermanët dhe austriakët nga njera anë, anglezët dhe amerikanët nga ana tjetër, francezët dhe kuebekasit, etj., ndonëse përdorin pothuajse të njëjtat themele gjuhësore, përsëri ky fakt nuk i bën aspak të kenë ndjenjën se janë kombe të njejtë.

Është e kuptueshme që në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, të këmbëngulej në faktin se bashkësia jonë gjuhësore ndërthurret ngushtë me unitetin tonë kombëtar. Por, po të themi se gjuha e përbashkët shqipe, aq më tepër alfabeti latin i saj, standardizimi kundër dialektizmave, përcaktojnë në një shkallë të madhe identitetin tonë kombëtar, atëhere krijohen një sërë pikëpyetjesh, të cilat kanë nevojë të gjejnë, megjithatë, një përgjigje të caktuar.

Shumë etni të tjera që jetojnë në Shqipëri apo në zona shqiptarofolëse e njohin dhe e flasin rrjedhshëm shqipen. Të tillë mund të jenë minoritete etnike greke, vllahe, turke, maqedonase, etj. Por, ky fakt, i njohjes dhe i përdorimit të shpeshtë të shqipes edhe në jetën e tyre të përditshme, nuk iu mohon atyre karakterin e veçantë etnik. Për të mos harruar se shqipen, bashkë me ne, tanimë e flasin dhe shumë e shumë të huaj, shpesh rrjedhshëm. Por, as atyre ky fakt nuk iu privon një identitet tjetër kombëtar, të ndryshëm nga ai i yni. Kam takuar në vende të ndryshëm, plot individë të diasporës shqiptare në Perëndim, në Belgjikë, në Itali, në Francë, etj., të cilët ndonëse flasin një shqipe të vjetër e boll të ëmbël, konsiderohen më shumë të integruar në kulturën kombëtare të vendit të tyre pritës sesa duken të afërt me identitetet kulturore të shqiptarëve të Shqipërisë.

Nuk duket të jetë thjesht gjuha ajo që strehon automatikisht identitetet tona kulturore, as alfabeti i saj. Aq më pak alfabeti dhe standardizimi i saj kundër diferencave dialektale. Këto janë anë materiale që mund të përdoren në mënyra nga më të ndryshmet dhe të përcjellin mesazhe dhe përmbajtje kuptimore nga më të ndryshmet. Në një farë kuptimi ato struktura materiale kodesh dhe teknologjish komunikimi mund të përdoren për të dhënë mesazhe identitarë nga më të ndryshmit. Për të mos folur pastaj për faktin se shqipja ka huazuar një numur konsiderueshëm të madh termash dhe fjalësh, me prejardhje latine, të përbashkëta me ato të shumë e shumë popujve të tjerë.

Sipas meje, jo alfabeti, as gjuha standarde në vetvete, nuk janë elemente ekskluzive që përcaktojnë fatalisht karakterin tonë kombëtar. Ato janë elemente të jashtme përkarshi identiteteve tona shpirtërore, dhe vlejnë për të shpjeguar universin e vlerave tona kulturore poaq sa vlejnë, për shembull, mjediset tona gjeografike, territoret, pasuritë tona kombëtare, etj. Po t’i niseshim kësaj metodologjie që kërkon t’a gjejë identitetin tonë kombëtar thjesht bazuar ekskluzivisht në elemente materiale, infrastrukturore, kodesh, etj., atëhere do të na lejohej të thoshim, për paradoks, se identitet dhe specifikë e shqiptarëve është edhe fakti i relievit të tyre gjeografik !

4. Jo gjuha në përgjithësi, por fjalitë logjiko-gramatikore

Universin tonë kulturor të veçantë, në fakt, e realizon bindshëm tërësia e atyre shprehjeve komunikuese e gjuhësore që tregojnë sesi ngjizet komunikimi kolektiv shpirtëror shqiptar. Shprehjet gjuhësore, idiomatike, nuk i përbën as vetëm nga alfabeti, as vetëm lloji i gjuhës në të cilat ato formulohen. Por, shumë më tepër sesa kaq, ato janë një unitet i kodeve materiale që i mbartin, i fjalëve të shprehura me anë të një alfabeti, i përmbajtjes së tyre kuptimore të shprehur përgjatë akteve konkrete dhe të shumëllojta të të shprehurit, si edhe i kontekstit përgjatë të cilit ato shprehen.

Nuk thoshte kot filozofi i sotëm amerikan Riçard Rorty: “Si mund të arrijnë të huajt të mësojnë gjuhën tonë, nëse nuk kanë arritur më parë të mësojnë kuptimin e zakoneve tona”?

Vetëm si lidhje e pashkëputshme midis fjalës dhe kuptimit të saj kontekstual të interpretuar në një nivel të dytë, që Barthes e quan «mitologjik», shprehja gjuhësore mund t’a humbasë natyrën e saj neutrale dhe mund të marrë tipare specifike për çdo komb, grupim shoqëror apo edhe klasë politike të veçantë. Vetëm në këtë kuptim, si tërësi shprehjesh logjiko-gjuhësore, të ngjizura brenda një konteksti komunkikues të veçantë, gjuha nuk mbetet më një material neutral me anë të të cilit mund të ngrihen «godina» nga më të ndryshmet kulturore. Nuk mbetet më një realitet indiferent, neutral, që mund të përdoret njësoj nga të gjithë. Kurse thjesht si alfabet, si univers shprehjesh të zbrazura nga kuptimi i tyre kontekstual, i ushqyer nga vlera të mirëfillta të qytetërimit, gjuha dhe alfabeti nuk arrijnë të shprehin medoemos një identitet të veçantë shpirtëror. Në një masë të konsiderueshme, identitetet kombëtare nuk shprehen thjesht nga gjuha, marrë në format e saj abstrakte, por nga kuptimësia e fjalëve brenda fjalive logjiko-gramatikore.

Kur një kinez, një shqiptar, një italian, një grek, një serb, një kongolez, një çifut, një palestinez thonë në gjuhët e tyre : « Unë kam vapë », faki i përdorimit të alfabeteve dhe gjuhëve të ndryshme nuk bën që shprehja në fjalë të marrë medomos një kuptim të veçantë shpirtëror dhe intelektual.

Ajo mbetet universale.

Por kur një shqiptar thotë shprehjen : « Më bëre vapë », si akt komunikimi, kjo fjali ka një kuptim semantik krejt të veçantë, gati të papërsëritshëm dhe të pagjetshëm, në shumë gjuhë të tjera. Ajo ka edhe nëntekstin : « Më bezdise ! », apo të tjera. Ndërkaq, vështirë që një francez, ta zemë, të thoshte po me të njejtin kuptim : « Tu me fais chaud ». Parë kështu, natyra specifike e përdorimit të shprehjes në fjalë, nuk vjen aspak nga fakti që ajo është shkruar me gërma latine, as prej faktit se është shkruar me fjalë shqipe, por nga bashkimi i këtyre dy elementeve materiale me një përmbajtje kuptimore kontestuale, interpretuese, karakteristike e popullit tonë.

Ka ardhur koha që përqasjet lidhur me marrëdhëniet midis gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar t’iu shpëtojnë si arsyetimeve që nuk njohin pavarësitë dhe autonomitë kuptimore, linguistiko-semantike, të grupeve dhe minoriteteve shoqërore, ashtu edhe trajtimeve të barazimit të shenjave materiale me përmbajtjen e tyre kuptimore – semantike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›