E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Apeli: 20 vjet burg Nehat Kullës

Vrasja e shoferit të ish-ministrit të Rendit, Halit Shamata, ka ndodhur 10 vjet më parë në autostradën Durrës-Kavajë, në afërsi të Golemit. Sipas prokurorisë grindja kishte nisur për një gërvishtje makine. 

DURRES- Gjykata e Apelit të Durrësit nuk i ka ndryshuar sot asnjë presje vendimit të gjykatës së Faktit të Kavajës, për Nehat Kullën, e cila e dënoi atë një vit më parë me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit, shoferit të ish ministrit të rendit Halit Shamata. Vrasja e shoferit të Shamatës Halim Gjuzi, ka ndodhur 10 vjet më parë në autostradën Durrës-Kavajë, në afërsi të Golemit. Kjo vrasje kishte mbetur e pazbardhur për vite deri në momentin kur prokuroria vendosi të rihapë ceshtjen duke e zbardhur përfundimisht. Arrestimi i Kullës u bë nga forcat RENEA në vitin 2005, në banesën e tij në Tiranë. Viktima Halim Gjuzi ka qenë duke udhëtuar në një automjet bashkë me familjen e tij kur është qëlluar me armë zjarri në prani të fëmijëve të tij. Autori i krimit, sipas prokurorisë ndodhej në një "Shevrolet" me targa ushtarake shteterore, kur sherri kishte nisur për një gërvishtje makine. Fillimisht Kulla dhe Gjuzi janë grindur me fjalë e me pas Kulla, ka qëlluar mbi të me arme zjarri duke e lënë të vdekur. Nehat Kulla u bë i famshëm gjatë trazirave të vitit 1997 kur pas hapjes së burgjeve ai mori në mbrojtje një grup depozitash armësh në periferi të Tiranës, në zonën ku ai banonte. Kulla madje nuk nguronte të dilte në fotografi i armatosur edhe në vitet që pasuan. Aktualisht vuan dënimin për këtë vrasje në burgun 313 në Tiranë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›