E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, nga litari tek Vullnetarët e Enverit



Nga Gjok Vuksani

Kanë kaluar gati dy dekada nga lëvizja studentore e Shkurtit ‘91, kanë kaluar shumë vite nga qeverisja e Kryeministrit të fundit punist që studentët e asaj kohe e quajtën Tao-Tao. Për ne, ish-studentët që kishim fatin e madh të bëheshim aktorë të ngjarjeve historike të viteve ‘90, është i paimagjinueshëm prosperiteti i madh ekonomik që ka bërë vendi.

Gjithashtu duket që edhe aspiratat integruese të lëvizjes studentore po bëhen realitet. Shqipëria në prill pranohet si anëtare në “NATO” dhe së shpejti do të aplikojë si kandidat në BE. Por nuk na rrokte mendja në shkurt ‘91, që do të ishte kaq e vështire të ndaheshim nga ndërtuesit dhe zbatuesit e diktaturës së proletariatit. Mendoja se këta njerëz të diktaturës komuniste do ta kishin përfunduar misionin me përmbysjen e sistemit të tyre.

Bustin e diktatorit ish-studentët dhe populli i Tiranës e rrëzuan për 72 orë, por ata që e ngritën në piedestal diktaturën dhe diktatorin, edhe sot ngatërrohen si ferra nëpër këmbët e politikës dhe drejtësisë shqiptare.

Ish-të burgosurit politikë menduan se me rrëzimin e bustit në shkurt të 91-shit do të thyenin qafën edhe ushtruesit e diktaturës së tij. Por shkulja e kësaj fare të keqe qenka shumë më e vështirë se e kishim imagjinuar.

Çdo ditë, në rrugë ose në televizor, shikojmë nga Avokatura e Popullit deri tek Gjykata Kushtetuese fytyrat e atyre që kanë shtrënguar prangat në duart e të burgosurve politikë. Simboli i diktaturës ra, por ish-ministrat, zëvendësministrat, hetuesit, prokurorët janë kacavjerrë me thonj dhe dhëmbë në të gjitha degët e pushtetit shqiptar. Ata madje sot flasin me fjalë bashkëkohore si: të drejtat e njeriut, liria e zgjedhjes dhe për t’u zgjedhur, shteti ligjor etj., etj. Por a kanë të drejtë morale këta xhelatë të pashpirt, që kanë vrarë, torturuar apo internuar me mijëra njerëz? A është shkelje e të drejtave të njeriut që të largohet një prokuror që ka dhënë plumbin e fundit në emër të diktaturës nga piramida më e lartë e drejtësisë?

Jo dhe jo, këto hiena të së kaluarës që i kanë duart e lyera me gjak, duhet të dorëhiqen vetë nga pozicionet që kanë uzurpuar.

Nuk mund të ketë asnjë gjykatë në botë që të shfajësojë krimet kundër njerëzimit, nuk ka asnjë organizëm politik që mund të dalë në mbrojtje të këtyre mostrave.

Në Shqipëri ka me mijëra njerëz që kanë baballarë të pushkatuar, kanë gjyshërit që nuk ua dinë varret, kanë akoma njerëzit e familjes me shenjën e prangave në duar. Dhe këta mijëra njerëz nuk kërkojnë më shumë, vetëm të mos drejtohen më nga fosilet komuniste, ata nuk kërkojnë që t’i varin në litar, ashtu siç thoshte në dhjetor të ’90-s Edi Rama, por vetëm t’i largojnë nga tribuna e baballarëve të kombit. Viktimat kërkojnë që të qetësojnë shpirtin në vitet e fundit të jetës, duke mos u torturuar përsëri nga prania e tyre në jetën publike. Por s’qenka kaq e lehtë kjo punë, sepse ata qëndrojnë stoikë në pozicionet e tyre, sot edhe bijtë dhe nipërit e tyre i mbrojnë ata politikisht me fanatizëm. Madje edhe ekstremisti i djeshëm Edi Rama jo vetëm që nuk do t’i varin më në litar, por i mbron ata me vetëmohim.

Rama, nga dëshira për t’i varur komunistët në litar, ka kaluar tek Vullnetarët e Enverit. Duket sikur ai më vonë e ka kuptuar që për të dënuar xhelatët e komunizmit duhet t’ia fillojë nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, pastaj duhet të vazhdojë me të tjerët. Duket që tani e ka kuptuar që për të dënuar ushtruesit e diktaturës së proletariatit dhe bashkëpunëtoret e Sigurimit të Shtetit, duhet të shpërbëjë grupin e tij parlamentar, duhet të shpërndajë Këshillin e Përgjithshëm Drejtues, duhet të rithemelojë Partinë Socialiste.

Prandaj ai në krye të PS-së është kthyer në mbrojtësin më të zjarrtë të ish-spiunëve, ish-ministrave, ish-zëvendësministrave të diktaturës, sepse pa ata nuk mund të ketë Parti Socialiste, nuk mund të jetë as kryetar.

Politika e re e Ramës, përtej së djathtës dhe të majtës, mbështetet pikërisht tek këta njerëz që i kanë duart e lyera me gjak. Rama sot ka thirrur vullnetarët në skenë, si në ’91-shin, duke mënjanuar figurat e moderuara të së majtës, jo me bustet e Enverit në supe, por me këngë për Edvinin në gojë dhe me fotografinë e tij në ballë. Mendoj se është detyrim i mazhorancës së djathtë që përfaqëson vlerat më të mira historike të disidencës antikomuniste, që të vendosë pak drejtësi sociale në këtë vend.

Mendoj se është vlera jonë më e madhe politike që të mbështesim dy shtresat më të vuajtura: ish-të përndjekurit politikë dhe pronarët e vërtetë.

Ne duhet të bëjmë sa më shpejt dëmshpërblimin e tyre moral dhe material, koha nuk pret. Ata çdo ditë po largohen nga kjo jetë me një brengë të madhe në shpirt.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›