E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, pesë të vdekur në rrugë gjatë dhjetorit

Bilanc tragjik shfaqin aksidentet rrugore të ndodhura gjatë vitit 2009 në rrugët e territorit të Qarkut të Fierit. Shifrave të vdekjeve në aksidente, të publikuara gjatë analizës vjetore të policisë, të zhvilluar rreth dhjetë ditë më parë, iu shtuan edhe tre aksidentet tragjike, që u regjistruan javën që sapo u mbyll. Kështu nga 41 viktima në aksidente që numëroheshin në analizën vjetore të policisë, pesë viktima të tjera janë shtuar pothuaj dhjetë ditët e fundit. Sipas statistikave të mbajtura nga seksioni i Policisë së Qarkullimit Rrugor në Fier del se në krahasim me një vit më parë, numri i viktimave nga aksidentet është rritur me 18 persona. Po ashtu, edhe numri i të plagosurve në aksidente është shumë i lartë. 80 të lënduar rëndë janë shënuar nga aksidentet e periudhës janar-dhjetor të këtij viti. Numri i sipërcituar i të plagosurve, që është mbajtur me raport nga policia e qarkullimit në shkallë qarku, nuk i përmban personat e plagosur lehtë, të cilëve nuk u është dashur qëndrimi në spital për disa ditë. Numri total i përplasjeve të mjeteve në rrugë si 12-mujor shkon në 123. Aksidente me pasoja të rënda kanë ndodhur si në rrugë kombëtare dhe rurale. Gjatë vitit 2009 shihet një tendencë në rritje e aksidenteve me vdekje te këmbësorët, të cilët janë goditur nga makinat që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara. Ndërkohë, grupmosha e të vdekurve në aksidente varion nga 25 deri në 80 vjeç. Autorët e aksidenteve i përkasin një moshe më të kufizuar që është mesatarisht nga 27 deri në 55 vjeç.
Autostrada mbetet një nga burimet kryesore të aksidenteve me pasoja, pasi nuk ka ndriçimin e nevojshëm dhe tabelat e domosdoshme sinjalizuese. Ndërkohë që rrugët rurale, si pasojë e infrastrukturës që lë për të dëshiruar, mbeten po ashtu një burim më shumë i përplasjeve me pasoja në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›