E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, Avokati i Popullit, marrëveshje me grupimet e shoqërise civile

DURRËS -Avokati i Popullit, Igli Totozani, nënshkroi sot pasdite një sërë marrëveshjesh me shoqata dhe grupime të shoqërisë civile me qendër në Durrës. Totozani tha se javën e ardhshme do të jetë disa ditë radhazi në qytetin bregdetar për të dëgjuar problemet e qytetarëve.

Më parë Avokati i Popullit bisedoi gjatë me përfaqësuesit e këtyre shoqatave, duke kërkuar përkrahjen e tyre për organizimin e hapësirës publike dhe krijimin e opinionit publik. Sipas tij, menjëherë pas marrëveshjeve që do të nënshkruhen në të gjitha rajonet e vendit, do të nisë puna për ngritjen e Komisionit kombëtar për të drejtat e njeriut, i cili do të ketë funksione këshillimore pranë Avokatit të Popullit.

Komisioni do të ketë në përbërje 20 anëtarë, nga të cilët 15 përfaqësues të shoqërisë civile dhe 5 personalitete të shquara dhe ekspertë të fushave me impakt të drejtpërdrejtë në zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Duke dëgjuar shqetësimet e drejtuesve të shoqatave dhe grupimeve të shoqërisë civile Totozani falenderoi mediat për mbështetjen që i kanë dhënë institucionit që ai drejton për problematikat e romëve dhe të shoqatave në mbështetje të homoseksualëve. Më pas ai vlerësoi se vullnetarizmi është një nga pasuritë qytetare që duhet inkurajuar dhe ofroi disa nga përvojat perëndimore për shkëmbimet pa pagesë dhe vullnetare në kohën e krizës ekonomike botërore që po kalojmë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›