E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, medalje nderi për kreun e Pameca III, Craig

TIRANE-Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dekoroi sot me "Medaljen e Nderit", zotin Cecil Craig, kreu i misionit të asistencës policore të Bashkimit Europiane PAMECA III, në përfundim të detyrës së tij.

Medalja u akordua me motivacionin "Për merita dhe shërbime të veçanta në asistencën e vazhdueshme për Policinë e Shtetit”, në një ceremoni organizuar në Tirane. Duke vlerësuar punën dhe kontributin që Craig ka ofruar në krye të misionit PAMECA III, e njëherazi asistencën teknike e financiare të dhënë gjatë këtyre viteve nga institucionet dhe taksapaguesit europianë, ministri Nishani nënvizoi se falë kësaj ndihme dhe asistence, Policia e Shtetit është një nga institucionet që ka pësuar një shndërrim të madh në shërbim të sigurisë dhe në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, edhe përmes luftës ndaj krimit.

"Jam i bindur që jo vetëm punonjësit e Policisë, të cilët kanë përfituar nga kjo ndihmë, nga kjo asistencë, por edhe qytetarët shqiptarë, të cilët kanë qenë dëshmitarët më të mirë të gjithë këtij bashkëpunimi në rritjen e këtij standarti për Pilicinë e Shtetit do t’ju jenë mirënjohës gjithmonë. Misione të tilla bëhen akoma më shumë eficente, më shumë përfituese, kur drejtohen nga liderë jo vetëm të aftë, jo vetëm miqësorë, por dhe që kanë një talent në drejtim dhe menaxhim, dhe zoti Craig ka qenë një prej tyre. Dëshiroj t’ju garantoj se kontributi juaj dhe i gjithë bashkëpunëtorëve tuaj që ju keni drejtuar ka qenë një kontribut i drejtpërdrejtë për trupën policore shqiptare, për rritjen e nivelit të profesionalizmit të tyre dhe për rrjedhojë për rritjen e nivelit të sigurisë dhe rezultateve në luftën ndaj krimit nga ana e Policisë së Shtetit", u shpreh ministri Nishani.

I pranishem në këtë ceremoni, Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, theksoi në fjalën e tij se angazhimi dhe profesionalizmi në menaxhimin dhe zbatimin e projekteve nga stafi drejtues i misionit PAMECA III ka sjellë rezultate të prekshme për policinë shqiptare.

"Përmirësimi i kapaciteteve dhe i profesionalizmit të policisë shqiptare falë kësaj ndihme janë të prekshme dhe ju duhet të jeni krenarë që e drejtuat me zotësi këtë mision. Angazhimi ynë në këtë drejtim do të vazhdojë", u shpreh Sequi.

Shefi i misionit të asistencës policore të Bashkimit Europian PAMECA III Z. Cecil Craig, pas marrjes së medaljes, falenderoi për bashkëpunimin e ofruar nga të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për realizimin me sukses të projektit.

"Qytetarët shqiptarë duhet të jenë krenarë për forcën policore, PAMECA është krenare që bashkëpunoi me Policinë e Shtetit, megjithëse ekziston gjithmonë dyshimi se mund të kishim bërë edhe më shumë. Unë i uroj PAMECA VI më shumë sukses", u shpreh Cecil Craig.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›