Tentoi të përdhunonte mësuesen, lihet në burg
GJIROKASTER - Gjykata e Gjirokastrës la dje në burg 26-vjeçarin që tentoi të përdhunonte mësuesen nga fshati Memaliaj. Xhevahir Demaj u arrestua disa orë pasi ndaj tij kreu denoncimin arsimtarja D.M. Për gati 1 orë në gjykatë është dëgjuar skenari i ngjarjes së rëndë ndodhur mesditën e të premtes, ku Demaj keqtrajtoi për pesë orë rresht arsimtaren 26-vjeçare. Një dosje e tërë voluminoze është paraqitur nga prokurori i çështjes për të pandehurin, i cili qëndronte në dukje i qetë pas hekurave derisa përfundoi seanca dhe u njoh me masën e arrestit. Ndërkohë në sallë nuk ndodhej e keqtrajtuara, e cila mësohet se ende nuk e ka marrë veten që nga dita e ngjarjes, jo vetëm fizikisht por edhe psikologjikisht. Ndryshe nga hera e kaluar kur Demaj u la në gjendje të lirë për t’u ndjekur nga prokuroria për shkak edhe të gjendjes së tij shëndetësore, trupi gjykues ka dhënë vendimin që pritej dhe që dëshirohej nga vetë e dëmtuara, izolimin e tij pas kangjellave deri në daljen e tij para gjyqit. Të arrestuarin e kanë ndjekur në sallën gjyqësore disa të afërm, të cilët kishin ardhur për të mësuar vendimin me shpresën e lirimit të tij në sallën e gjyqit. Prokuroria e Gjirokastrës ka ngritur ndaj 26-vjeçarit Xhevahir Demaj tri vepra penale: “heqje e paligjshme e lirisë në rrethana rënduese”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura e ngelur në tentativë”, si dhe “kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë për shkak të detyrës”. Ngjarja ndodhi të premten e kaluar kur agresori i doli përpara mësueses, e cila ishte e shoqëruar me një kolege të saj. Kjo e fundit pësoi gjendje të fikëti kur pa të riun me thikë në dorë. Ai e mori me dhunë drejt pyllit 26–vjeçaren, duke tentuar disa herë ta përdhunojë derisa ajo arriti t’i shpëtojë nga duart. p.n