E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Cez hap zyrën për kujdesjen ndaj klientit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 13-01-2011 12:46

Në vazhdimësi të zbatimit të strategjisë dhe premtimit për përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e kujdesit ndaj klientit, CEZ Shpërndarje hap në Durrës Qendrën e Kujdesit ndaj Klientit. Kjo qendër do të jetë pikë referimi për klientët e këtij qyteti dhe synon ta bëjë sa më të lehtë zgjidhjen e problemeve dhe kërkesave që ata kanë. “Kujdesi ndaj klientit është një nga prioritetet tona për këtë vit dhe ne po punojmë shumë që të përmirësojmë të gjitha proceset tona, që kanë ndikim në shërbimin që ne u ofrojmë klientëve tanë”, tha Josef Hejsek, Kryetari i Bordit të Drejtorëve të CEZ Shpërndarje. “Qendra e Kujdesit ndaj Klientit do të ofrojë një sërë shërbimesh, duke përfshirë këtu: aplikim për lidhje të reja, printim të faturës dhe depozitim të ankesave apo kërkesave që mund të ketë klienti. Gjithashtu, në këtë Qendër, klientët tanë mund të aplikojnë për një kontratë ligjore me kompaninë, të mbyllin apo riaktivizojnë një kontratë ekzistuese, si edhe të marrin një informacion të detajuar mbi dokumentet që nevojiten për këto procedura. Për ta lehtësuar klientin, Qendra e Kujdesit ndaj Klientit ofron edhe mundësinë e pagesës së faturave, si dhe mundësinë e zëvendësimit të librezës dhe të ndryshimit të të dhënave të kontratës. Qendra të tilla, së shpejti do të jenë në të gjithë Shqipërinë. Përmes tyre, CEZ Shpërndarje synon të rrisë kënaqësinë e klientëve duke ju shërbyer atyre më denjësisht dhe në ambiente më komode. Këto qendra kanë për qëllim t’i shërbejnë konsumatorit dhe të plotësojnë çdo kërkesë të tyre, pa qenë e nevojshme që ato të drejtohen në zyra të tjera të CEZ Shpërndarje, por të kenë një pikë të vetme referimi për kërkesat dhe ankesat e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›