Tepricat 300 mijë USD për ish-pronarët do të ndahen në prill
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të shpërndajë, deri në muajin prill të këtij viti, fondin prej 300 mijë eurosh për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Për vitin 2010, nuk u nda fondi për kompensimin financiar, sikundër ka ndodhur 5 vite me radhë. Kjo pasi po përgatitet një vendim i ri mbi procedurat. Megjithatë, brenda muajit prill, ky fond 300 mijë dollarë do të shpërndahet. Ky fond nuk është djegur me mbarimin e vitit financiar dhe as nuk është bashkuar me fondin për dëmshpërblimin e pronarëve të prekur nga legalizimet. Miratimi i ligjit për fondin special të kompensimit, i ka dhënë mundësi Agjencisë së Njohjes, Kthimit, Kompensimit të Pronave që ta përdorë këtë fond me efikasitet. Fondi Special për kompensimin e ish-pronarëve do të vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Fondi special, që u krijua në bazë të një ligji të miratuar vitin që shkoi, do të përshpejtojë gjithashtu procesin e kompensimit financiar, duke i dhënë më shumë kompetenca agjencisë që merret me këtë proces. Në fondin e veçantë për kompensimin, përveç fondeve të buxhetit, do të përfshihen edhe të ardhurat nga privatizimet dhe donacionet. Kjo bën të mundur që fondet buxhetore, për kompensimin e ish-pronarëve, të mos digjen në fund të vitit, por mblidhen në një fond special, i cili do të përdoret në çdo kohë për kompensimin e ish-pronarëve. Për vitin 2010, fondi i vënë në dispozicion të ish-pronarëve arrin në vlerën e 700 milionë lekëve, ose 100 milionë lekë më shumë se viti i kaluar. Për burimet e fondit të pronave, qeveria parashikon pesë të tilla: të ardhurat buxhetore, ku përfshihen të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit, për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore.