Titujt e pronësisë, do të lehtësohen procedurat
Sipas ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, amendimet e dy ligjeve do të bëjnë të mundur që një numër i konsiderueshëm i familjeve bujqësore, të cilat përdorin aktualisht tokën bujqësore, të pajisen me titujt e pronësisë
Gjatë këtij viti, legjislacioni që ka të bëjë me kthimin e pronave, sidomos të tokave bujqësore, do të përmirësohet. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, dje, gjatë një analize të zhvillimeve në sektorin e bujqësisë dhe pritshmërive për këtë vit, tha se do të amendohen dy ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë njëri me “shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë” dhe tjetri: “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Sipas ministrit Ruli, amendimet e këtyre dy ligjve do të bëjnë të mundur që një numër i konsiderueshëm i familjeve bujqësore, të cilat përdorin aktualisht tokën bujqësore, të pajisen me titujt e pronësisë, dokument të cilin, për pengesa ligjore dhe burokratike nga më të ndryshmet, nuk kanë arritur ta marrin në këto 20 vite. Prej tre vitesh, këto tituj pronësie dhe akte në përdorim po verifikohen nga Komisioni i Tokës. Amendimet e këtyre ligjeve do të bëjnë që të shkurtohen procedurat dhe dokumentacioni për dhënien e vendimeve, sqaroi Ruli. Sipas legjislacionit aktual, veprimtaria e shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore, është e bazuar në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Sipas këtij ligji, strukturat shtetërore që drejtojnë dhe zbatojnë këtë proces janë, Komisioni Qeveritar i Tokës (KQT), Sekretariati Teknik i KQT-së dhe Komisionet Vendore të Vlerësimit të titujve të Pronësisë pranë Prefektëve. Komisioni Qeveritar i Tokës është ngritur dhe funksionon si struktura që drejton dhe mbikëqyr procesin dhe veprimtarinë e Komisioneve Vendore. Ndërsa Sekretariati Teknik është krijuar si strukturë e përhershme administrative-teknike në shërbim të KQT-së dhe përbëhet nga 5 punonjës me përvojë në problemet e pronësisë, të cilët janë emëruar në detyrë nga ministri i shtetit. Në zbatim të ligjit, janë ngritur 12 Komisione Vendore të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, që funksionojnë si struktura të veçanta pranë prefektit të qarkut, i cili emëron apo shkarkon anëtarët e këtyre komisioneve. KV-ja funksionon si organ kolegjial në vendimmarrje, por në veprimtarinë e përditshme drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e KV-ve monitorohet nga KQT, nëpërmjet Sekretariatit Teknik. Kështu, komisioni vendor i verifikimit të titujve të pronësisë, me nismën e vet, ushtron kontrolle të drejtpërdrejta e të plota mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për sipërfaqet e tokave të ish Ndërmarrjeve Bujqësore dhe sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin. Komisioni vendor, kur konstaton se aktet janë krijuar në përputhje me kriteret "Për verifikimin e titujve të pronësisë", atëherë, me vendim deklaron vlefshmërinë ligjore të krijimit të këtyre akteve dhe përgatit, për këtë, dokumentin e ri për rikonfirmim. Komisionet vendore vendosin për pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë dhe i drejtohet gjykatës me kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë së aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, shfuqizimin e tij dhe kthimin e pronës në pronësi të shtetit. Komisioni vendor është i detyruar që për të gjitha aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilat vendos plotësimin e tyre, të mbajë një regjistër të veçantë.