Durrës/ Dy pista hetimi për shpërthimin me telekomandë të makinës së Aldi Mustafës

Teksa kanë kaluar 24 orë nga shpërthimi me telekomandë ë automjetin e Aldi Mustafës, ngjarje e shënuar në zonën e Shkozetit në Durrës, policia lokale ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve, ndonëse mori në pyetje tetë persona që mund të kishin dijeni.
Të dhënat nga grupi hetimor bëjnë të ditur, se në pyetje është marrë edhe vetë Mustafa, i cili ka deklaruar se, automjetin e kishte lënë të parkuar para shtëpisë gjatë gjithë natës dhe se nuk e kishte çuar në servis.
Nga ana tjetër, ka shtuar se, nuk ka konflikte me njeri dhe se nuk e ka idenë se kush mund t’ia ketë vënë lëndën plasëse.
“Kur e mora makinën në drekë, shpërtheu. Nuk e si kush e ka vënë lëndën plasëse. Media me ka ngatërruar keq me akuzat që më thonë. Është faji i gazetarëve që me veshin me ngjarje që nuk kam lidhje. Nuk kam konflikte. Gjejeni ju si polici kush e ka vendosur eksplozivin.”, mësohet të ketë deklaruar ai para oficerëve të policisë.
Aldi Mustafa, dyshohet se është mik i ‘Rrumit’ të Sukthit, ndërsa blutë e qytetit bregdetar po punojnë ende për zbardhjen e ngjarjes.
37-vjeçari njihet si një person me precedentë penal, pasi në gushtin e vitit 2021, me dy persona të tjerë, u arrestua pasi kishte dyshime, se po planifikonin një vrasje.
Ai është dënuar më parë me 10 vite burg në Gjermani, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërsa dhjetorin e shkuar, me vendim të gjykatës i është shuar masa e arrestit me kërkesë të tij, pasi ishte dënuar me 2 vjet burgim pas arrestimit në gusht të vitit 2021 për mosbindje të urdhrit të policisë, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt të mjetit.
Një grup pune po punon me kamerat e sigurisë të marra nga objektet rreth e rrotull vendit ku ndodhi shpërthimi, për të parë çdo lëvizje të automjeteve apo personave që kanë qarkulluar në zonë para dhe pas atentatit.
Grupi hetimor ka arritur në përfundimin, se shpërthimi është realizuar me telekomandim në distancë.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh/