E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Furgonët ulin çmimet e biletave



Ulja e çmimit të naftës nëpër distributorë ka sjellë uljen e çmimit të biletave të furgonëve dhe autobusëve të linjës Tiranë - Durrës dhe anasjelltas. Gjatë ditëve të fundit pronarët e furgonëve 9+1 dhe të autobusëve, të cilët transportojnë udhëtarë ndërmjet dy metropoleve, Tiranë dhe Durrës, kanë ulur çmimin e biletave të udhëtimit. Një biletë kushton 100 lekë nga 150 lekë që ishte.

Rritja e çmimit të biletave në këtë linjë pësoi rritje në kohën kur çmimet e naftës shkuan në stratosferë. Por me uljen e çmimit të karburantit, u ulën edhe ato të biletave. Madje edhe pronarët e furgonëve, të cilët qarkullojnë orët e vona në këtë aks, të cilët marrin 150 lekë për biletë, e kanë çuar në 100 vlerën e saj. Një ulje e tillë favorizon në mënyrë të veçantë studentët e Durrësit që mësojnë në Tiranë e që lëvizin me këto mjete.

Letërnjoftimet

Durrës, në tri komuna nuk ka nisur ende aplikimi

Në tri komuna në Prefekturën e Qarkut të Durrësit ende nuk punohet për aplikimet për pajisjen me karta identiteti të popullatës.

Sekretari i prefekturës, Dilaver Tepelena, tha për “standard”: “Puna për aplikime ka nisur hap pas hapi dhe po punohet për krijimin e kushteve edhe në tri komuna te të cilat ende nuk ka nisur procesi i aplikimit”. Komunat në të cilat ende nuk ka nisur ky proces, ndodhen në rrethin e Krujës e konkretisht bëhet fjalë për komunat Bubq, Nikël dhe Cudhi. Prefektura e Durrësit përbëhet nga 6 bashki dhe 10 komuna. Përveç tri komunave të mësipërme, në të gjitha bashkitë e komunat e tjera procesi i aplikimit ka vazhduar normalisht, pasi për çdo ditë për ecurinë e këtij procesi raportohet në prefekturë. Ndërkohë që procedura e aplikimit vazhdon, ende nuk është dorëzuar asnjë kartë identiteti për banorët e kësaj prefekture. Sipas informacioneve, bëhet e ditur se kompania franceze, “Sagem”, e cila po merret me këtë proces, nuk ka nisur të prodhojë ende karta identiteti nga aplikimet e Durrësit.

Punonjësit e zyrave të aplikimit thonë se ky proces do të nisë 1 muaj nga dita e fillimit të këtij procesi, afat i cili plotësohet pikërisht këtë javë. Ndërkohë, ende mungon një statistikë për sa i përket numrit të banorëve të kësaj prefekture, të cilët disponojnë pasaporta udhëtimi të cilat janë të vlefshme për procesin e votimit të 28 qershorit, njëlloj si kartat e identitetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›