E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti; Burgjet mbeten me probleme, vazhdon mbipopullimi



Kushtet në burgje si dhe në paraburgime vazhdojnë të mbeten ende problem shqetësues, ndërkohë që në disa sektorë shihen përmirësime të dukshme. Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë periudhës tetor-dhjetor 2008 ka kryer vëzhgime në 10 institucione. Pra, referuar raportit, monitorime janë kryer në institucionet e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë, “Mine Peza” në Tiranë, Berat, Durrës, Vlorë, si edhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim “Shën Koll” Lezhë, Vaqar, Fushë-Krujë, Krujë, “Ali Demi” në Tiranë dhe Spitali i Burgjeve në Tiranë. Problemi i parë i konstatuar nga monitorimi tremujor ishte mbipopullimi i burgjeve, i cili ishte një problem edhe më madhor në sektorin e paraburgimit “Jordan Misja”, Tiranë dhe në sektorin e të dënuarve në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim “Ali Demi”, Tiranë. Problemi i radhës kishte të bënte me një gjendje jo të mirë të pajisjeve të përdorimit vetjak të personave të privuar nga liria si: dyshekë, jastëkë ose pajisje të tjera, të cilat për arsye të amortizimit dhe të keqpërdorimit ishin në gjendje jo të mirë. “Shumica e personave të privuar i siguronin teshat personale nëpërmjet familjarëve të tyre. Në momentin e vëzhgimit në Durrës mungonin totalisht dhe të paraburgosurit flinin në dysheme”, - sqaron KSHH-ja. Përveç kësaj, në paraburgime është konstatuar edhe një problem që kishte të bënte me higjienën e ambienteve të brendshme, problem i konstatuar në disa prej institucioneve të vëzhguara, e shkaktuar nga mungesa i ujit të rrjedhshëm dhe e energjisë elektrike 24-orëshe. Në disa prej institucioneve nuk funksiononin dushet e përbashkëta. Të paraburgosurit dhe të dënuarit laheshin në kushte jo të përshtatshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›