E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi i provës, 350 të dënuar përfitues në burgje



Një numër i konsiderueshëm të dënuarish, por edhe të paraburgosurish do të përfitojnë nga shërbimi i provës. Paraprakisht nga burgjet është përgatitur një listë, por kjo nuk është përfundimtarja, pasi numri i përfituesve parashikohet më i lartë, çka do të thotë edhe ulje të mbipopullimit në burgje. Së shpejti në Ministrinë e Drejtësisë pritet të ngrihet Zyra e Shërbimit të Provës, e cila do të përcaktojë të dënuarit apo të paraburgosurit që do të përfitojnë nga ky shërbim, në bazë të kritereve të bazuara në ligj. Ndërkohë është përgatitur edhe një draft-rregullore, e cila do të jetë udhërrëfyesja e kësaj zyre me udhëzimet përkatëse, në nene të veçanta, që shpjegon funksionimin e shërbimit të provës, personat që përfitojnë, kriteret e vendosura, kur pezullohet ky shërbim në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e të dënuarve apo të paraburgosurve. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat bëjnë të ditur se deri tani prej tyre është përgatitur një listë të dënuarish që përfiton. Bëhet fjalë për 350 të dënuar, por që sipas burimeve, nuk do të thotë se është lista përfundimtare e përfituesve nga shërbimi i provës. Kjo listë është përgatitur nga psikologët dhe sociologët në burgje, të cilët kanë shqyrtuar dosjet e të dënuarve. Burimet zyrtare na shpjegojnë edhe mënyrën sesi do funksionojnë Shërbimi i Provës, i cili do funksionojë në dy mënyra, i plotë dhe i pjesshëm. “Do ketë shërbim të plotë të provës për të gjithë të dënuarit që pas përfundimit të shërbimit do kthehen në banesat e tyre, gjithmonë të mbikëqyrur nga një polic përgjatë ditës. Ndërsa shërbimi i pjesshëm është ai i gjysmëlirisë, kur i dënuari pas shërbimit të provës kthehet në darkë në burg. Por, burgjet do sigurojnë mbikëqyrje të plotë të personave që do përfitojnë nga shërbimi i provës, për të parë mënyrën e funksionimit dhe respektimit nga të dënuarit. Me anë të këtij shërbimi, pritet që në burgje të ulet ndjeshëm mbipopullimi, ndërkohë që do të jetë i madh numri i përfituesve, duke shmangur në këtë mënyrë burgun.

Shërbimi i provës, i pjesshëm

Për dënimet gjer në një vit burgim, gjykata kur vëren rrethana të rënda familjare, mjekësore, arsimore, profesionale apo shoqërore mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim në gjysmëliri. Personi i dënuar që vuan dënimin në gjysmëliri është i detyruar të kthehet në burg pasi ka kryer detyrimet jashtë burgut brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata. Kur personi i dënuar nuk përmbush detyrimet sipas këtij neni, gjykata urdhëron revokimin e ekzekutimit të vendimit në gjysmëliri dhe urdhëron personin e dënuar të vuajë kohën e mbetur në burg. Këta të fundit do të penalizohen edhe me 4 muaj burg më shumë në rast se do të thyejnë rregullat që përfshihen në dënimet alternative.

Shërbimi i provës, i plotë

Gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë gjer në dy vjet burg me qëndrimin në shtëpi në këto rrethana. Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë nën moshën 10 vjeç që jetojnë me të; për persona në kushte të rënda shëndetësore që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor jashtë burgut; për personat mbi 60 vjeç që janë të paaftë nga ana shëndetësore; për të rinj nën moshën 21 vjeç me nevoja të dokumentuara shëndetësore studimore, të punës apo përgjegjësive familjare. Kur vendos vuajtjen e dënimit me qëndrim në shtëpi, gjykata urdhëron personin e dënuar të mos largohet nga banesa e tij. Ndërsa, për personat e dënuar që nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre themelore të jetesës autorizohen nga gjykata të largohen nga vendbanimi gjatë ditës apo për aq kohë sa është e domosdoshme për të siguruar këto nevoja apo për t’u angazhuar në aktivitete pune. Në këtë rast gjykata përcakton masat që duhet të kryejë shërbimi i provës. Ndërkohë që gjykata revokon qëndrimin në shtëpi kur nuk ekzistojnë më kushtet e parashikuara në ligj ose nëse personi i dënuar largohet pa autorizimin e gjykatës nga vendi i banimit apo shkel detyrimet e caktuara në vendim.

Kriteret për përfitim të shërbimit të provës

* Figura e veprës penale

* Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit

* Mosha

* Kushtet shëndetësore apo mendore

* Mënyra e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht që lidhen me familjen

* Arsimimi

* Puna e zakonshme e të dënuarve

* Rrethanat e kryerjes së veprës penale

* Sjellja pas kryerjes së veprës penale

* Kushte të tjera të rëndësishme

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›