Durrës, KRRT miraton dy investime publike
DURRES - KRRT-ja e Qarkut Durrës-Krujë ka kaluar për miratim në mbledhjen e fundit të saj dy investime të mëdha publike. Bëhet fjalë për miratimin e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit për objektin “Rikonstruksioni i rrugës Shijak-Maminas” me investitor Këshillin e Qarkut të Durrësit dhe financues Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Gjendja aktuale e kësaj rruge, që lidh mbi 50 mijë banorë mbetet e rëndë, ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për ta bërë atë funksionale. Ndërkohë që në diskutim kaloi edhe miratimi i detyrës së projektit për “Studimin urbanistik pjesor përgjatë aksit rrugor të superstradës Durrës-Maminas”. Rruga Shijak-Maminas, me gjatësi 5 kilometra, do të ketë një sipërfaqe të asfaltit në rrugën e re prej 32 175 metrash katrorë. Gjatë prezantimit të projektit, kryetari i komunës Xhafzotaj Agim Hoxha ndërhyri duke kërkuar që një pjesë e kësaj rruge të ketë edhe trotuar, për faktin se përgjatë saj ngrihen shumë shtëpi dy-tre katëshe dhe një gjë e tillë do ta bënte më të sigurt kalimin për këmbësorët. Një gjë e tillë, ndonëse kërkon fonde shtesë, u gjykua si e drejtë nga diskutuesit, të cilët dhanë mendimin se një trotuar me gjatësi 100-150 metra do të ishte edhe në të mirë të komunitetit, por edhe të investimit. o.u