E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda, vajza peng mbyll dëshminë



Armand Bajrami

Cikli i fundit i dëshmisë së shtetases V.Jahos, dëshmitare e mbrojtur e prokurorisë, në procesin ndaj “bandës së Durrësit”, përfundoi dje te Krimet e Rënda brenda pak minutash. Ndonëse pritej që dëshmitarja të vazhdonte gjatë me dëshminë e saj, ajo i është përgjigjur pyetjeve të palëve me “nuk mbaj mend më shumë”. Ndër të tjera, ajo ka mohuar para gjykatës të kishte njohje me të pandehurit Lulzim Berisha dhe Indrit Taullai. Në vijim, përfaqësuesi i akuzës ka bërë kundërshtime të pjesshme me deklarimet e dhëna prej saj në prokurori, në fazën e hetimeve paraprake. Po dje, gjykata është njohur me një pjesë të dëshmisë së Flora Jahos, nëna e dy dëshmitareve të mbrojtura G. dhe V.Jaho, njëra prej të cilave pretendohet se është marrë e mbajtur peng nga anëtarë të bandës së Durrësit. Ndërkohë, përjashtimi nga seanca me vendim të gjykatës për dy avokatë mbrojtës në proces, ndërpreu dje seancën, duke lënë në mes edhe rrëfimin e dëshmitares Flora Jaho.
SEANCA
Në një seancë me dyer të mbyllura, e caktuar nga gjykata me një vendim të ndërmjetëm, për shkak të sigurisë fizike të dëshmitareve, V.Jaho vijoi dje dëshminë e nisur dy seanca më parë. Burime brenda seancës pohuan se dëshmitarja përfundoi në pak minuta rrëfimin e saj. Pas një dëshmie të detajuar, dhënë dy seanca më parë, ku sqaronte kërcënimet e marra nga ish i dashuri i saj, Klodian Saliu, për nxjerrjen në pritë të Marsel Sotirit, dje dëshmitarja “i ka rënë shkurt”. “Nuk mbaj mend shumë. Më lini të jetoj jetën time”. Kështu mësohet t’u jetë përgjigjur ajo togave të zeza, me sy të përlotur, teksa e pyesnin mbi periudhën pas vrasjes së Marsel Sotirit, në një pritë të armatosur në gushtin e vitit 1999 në Durrës, kur dyshohet se dëshmitarja është mbajtur e izoluar për disa muaj, nga dy prej të pandehurve. Po sipas burimeve nga seanca, kur të pandehurit Lulzim Berisha dhe Indrit Taullai kanë pyetur dëshmitaren nëse njiheshin prej saj, ajo është përgjigjur negativisht. Në përfundim të thënieve të dëshmitares, gjykata ka pranuar kundërshtimet e pjesshme të prokurorisë, mbi dëshminë e Jahos. U bë e ditur se kundërshtimet ishin në momentet e dërgimit të dëshmitares në Itali, pas vrasjes së Marsel Sotirit, si edhe mbajtjen të izoluar për 18 muaj. Gjithashtu, referuar thënieve të dëshmitares në hetimet paraprake, prokurorët kundërshtuan edhe momentet e njohjes së dëshmitares me disa prej të pandehurve në procesin ndaj “bandës së Durrësit”.

Dëshmon në gjyq edhe nëna e vajzës së rrëmbyer

TIRANE – Vendimi për seancë me dyer të mbyllura, nuk është revokuar nga gjykata dje, as gjatë dëshmisë së Flora Jahos. Dëshmitarja, mamaja e dy dëshmitareve të mbrojtura, të thirrura së fundmi në proces, rrëfeu para Gjykatës për Krimet e Rënda, vetëm çka kishte mësuar nga vajzat e saj. “Di vetëm ç’kam dëgjuar nga vajzat”, është shprehur dëshmitarja në gjykatë. Burime pranë seancës pohuan se dëshmitarja ka pranuar dje të kishte dijeni mbi një lidhje mes vajzës së saj, V.Jaho dhe Klodian Saliut,në vitin 1999, kohë kur familja e saj jetonte në qytetin e Durrësit. E pyetur në lidhje me “rrëmbimin” e vajzës së saj, mësohet se dëshmitarja ka pohuar se nuk e kishte denoncuar atë në organet kompetente pasi kishte frikë. Po sipas saj, kur vajza e saj V.Jaho është kthyer në shtëpi, ajo ka qenë e frikësuar. Gjithashtu ajo ka pohuar se pas largimit të saj, nga Skrapari në drejtim të Durrësit, për disa kohë ajo ka vijuar të jetonte në Skrapar, ku edhe punonte. Ndërkohë që ndërhyrja e njërit prej avokatëve, ndaj dëshmitares, krijoi debat mes palëve, çka çoi më pas deri në ndërprerje të seancës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›