Supermashtruesi, gjykata lë në burg Indrit Aliun, sot dëshmia
TIRANE - Indrit Aliu, i akuzuari për mashtrimin e biznesmenëve do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Tiranës konfirmoi mesditën e të dielës masën e sigurisë “burg pa afat”, që kishte marrë një vit më parë në ngarkim të tij, ndërsa i pandehuri 26-vjeçar u paraqit në proces i “braktisur” nga mbrojtja e tij. I ndodhur në këtë pozicion, i pandehuri është mjaftuar vetëm me dhënien e gjenealiteteve para gjyqtarit të gatshëm, ndërsa mbrojtja e tij e caktuar kryesisht ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Tiranës, i cili pritet që ta marrë në pyetje Aliun, pohoi në gjykatë se në bazë të provave të grumbulluara më parë, rezulton se 26-vjeçari vlonjat ka kryer veprën penale “mashtrim”, me pasoja të rënda, në shuma të mëdha dhe më shumë se njëherë. Sipas prokurorit, akuza është konsumuar nëpërmjet hartimit të kontratave me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse për kryerjen e punimeve në fushën e infrastrukturës, duke u marrë pagesa këtyre shoqërive në formën e sigurimit të kontratës. Veprimet janë kryer nga Aliu, me qëllim të përfitimit material, rrethanë e cila rezulton nga faktet e dhëna prej tyre; ky nuk rezulton të dispononte fondet për mbulimin e kontratave; menjëherë pas dorëzimit të dokumenteve, po ato firma njoftoheshin si fituese të tenderit; në kohë të shkurtër të ekzistencës së tij, i prezantuar në formën e një fondacioni ku kallëzuesve të ndryshëm i është prezantuar në emërtime dhe financime të ndryshme nga njëri-tjetri, por që në fakt këto “financime” kanë qenë shumat e konsiderueshme të parave, të marra nëpërmjet mashtrimit të dëmtuarve, siç janë rastet e shtetasve A.B., R.B., S.R., B.N. dhe L.K., dhe shumë personave të tjerë; si dhe nga fakti se ky shtetas u largua për t’iu fshehur hetimit. “Aliu nëpërmjet gënjeshtrës, ka përfituar shuma dhe sende të ndryshme të vlefshme, duke ditur që në fillim se nuk do të shlyente ndonjëherë vlerën e tyre, ku të gjitha veprimet e tij që nga hartimi fiktiv i kontratave, lëshimi i mandateve të pagesës, kanë qenë një formë e realizmit të mashtrimit në funksion vetëm të marrjes së pasurisë së këtyre shtetasve. Ky person u prezantohej viktimave të kishte njohje të shumta dhe hynte shpesh në institucione shtetërore dhe banka ku e njihnin të gjithë e po kështu edhe në zyrë mbante foto me figura të njohura publike, rrethana të cilat kanë bërë të besohej se kallëzuesit kishin të bënin me një firmë serioze dhe të besueshme”, përfundoi organi i akuzës. fa.ma.