E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, dështon sërish buxheti pas debateve në Këshill



PATOS - Dështon sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak të Patosit. Megjithëse kanë kaluar 5 muaj nga fillimi i vitit, bashkia e Patosit nuk ka ende një buxhet. Debatet mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë dhe ndryshimi i kryetarit bashkiak pas krijimit të maxhorancës së re kanë bërë që miratimi i buxhetit të shtyhet çdo herë. Pas akuzave të ndërsjella, dje këshilltarët e të gjitha forcave politike kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Në rend të ditës ka qenë miratimi i strukturës dhe pagave për punonjësit e njësisë vendore dhe ndërmarrjeve vartëse. Megjithëse pas 5 muajsh kjo ishte mbledhja e parë me pjesëmarrjen e të gjithë këshilltarëve, as ajo nuk ka mundur të ecë mirë, madje as të fillojë. Këshilltarët e majtë kanë kërkuar miratimin e paketës fiskale, ashtu siç është paraqitur në projektbuxhet nga Bashkia e Patosit, pasi zvogëlimi në të i mbi 55 milionë lekëve të reja, (si pasojë e debitit të ndërmarrjes së ujësjellësit) nuk do të lejonte realizimin e investimeve të parashikuara në këtë qytet. Kjo ka krijuar edhe tension të madh në sallë mes kryetarit të Bashkisë Bardhi Meli, ish-kryetarit bashkiak Maksim Goga dhe kryetarit aktual të Këshillit Bashkiak Leonard Behaj. Madje, të majtët kërkuan dhe mocion mosbesimi për kreun e Këshillit, Behaj. Edhe pas debateve nuk u arrit të miratohet as buxheti e as pagat e pikat e tjera të përcaktuara për këtë mbledhje. Sipas Behajt, debati lindi pasi kryebashkiaku Meli kundërshton zvogëlimin e administratës së bashkisë me 50 vetë, çka duhet të kryhet në kushtet kur paketa fiskale pakësohet me mbi 55 milionë lekë. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›