Durrës-Kukës, kalim me pengesa por tre orë më shpejt
Nga i dërguari ynë,
Ferdinand Dervishi
Të kalosh nga sipër autostradës Durrës-Kukës, sidomos në pjesën që ndërton “Bechtel”, nuk e dallon madhështinë. Atë madhështinë që dikur e shijoje nga poshtë, në rrugën e vjetër, në këmbë të urave që lidhin malet. Kështu mbase ka për të ndodhur me të gjithë ata udhëtarë që do të shkojnë në drejtim të ekstremit verilindor të vendit apo në Kosovë dhe anasjelltas, në fund të qershorit të këtij viti. Kështu ka për të ndodhur deri në momentin kur të ndalojnë në anë të autostradës për shkak të një shkaku, dhe të hedhin sytë poshtë, te lumi. Moment kur do të kuptojnë se janë duke udhëtuar përmbi ura gati 100 metra të larta, pasi malet e prerë në mes edhe mund të mos provokojnë më shumë se kaq. Pas dy vjet e gjysmë pune, me të keq, me pengesa, me lejen e ndërtuesve, makinat mund të ecin më në fund përmbi rrugën zhurmëmadhe Durrës-Kukës. Të parat që e provojnë, që e zbulojnë, janë makinat me gazetarët e pothuaj të gjitha mediave kryesore të vendit, një udhëtim promocional i organizuar nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, dikur gazetar i kronikës. Por sërish me pengesa ama. Me gjithë madhështinë që ofron pjesa e luanit, e ndërtuar nga “Bechtel & Enka”, deri në kohën e premtuar, që duhet të jetë disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, rruga do të jetë pjesërisht gati. Kjo sepse sërish në segmente të caktuara do të kalohet nëpër rrugën e vjetër, porse hapja e njërit prej tuneleve, u shkurton të gjithë atyre që e njohin “të zitë e ullirit” të shkuarjes në Kukës apo Kosovë, pothuaj tre orët më të vështira të qëndrimit në timon.
Rruga me arna
Ndalesa e parë e gazetarëve bëhet në Milot, pikërisht në vendin ku starton autostrada zyrtare. Është një kthesë e gjerë djathtas, segment që ndërtohet nga një firmë sllovene, e cila duket e ka kryer me devotshmëri detyrën e premtuar. Sepse për më shumë se 10 kilometra në vazhdim, rruga pothuaj është e hapur dhe e asfaltuar të paktën në korsitë e njërës prej anëve. Kështu deri në Rubik. Ku, si të rrëfenin pa fjalë arnën e parë, gomat e makinës përplasen në rrugën e vjetër ekzistuese, që gjithsesi ka qëlluar në gjendje të mirë. Në krahun e majtë, në anën tjetër të lumit, segmenti i bërë dikur gati nga repartet e xhenios së ushtrisë në kohën kur Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Pandeli Majko, duket larg bashkimit me pjesën tjetër deri në datën e zgjedhjeve. Larg, edhe pse ushtarët e xhenios e hapën drejt e përmbi trasenë e hekurudhës më të re të kohës së komunizmit. Por edhe në afërsi të Rrëshenit, aty ku nis pjesa e luanit, ajo e “Bechtel & Enka”, edhe pse pamja ndryshon dhe të duket vetja sikur je përballë me infrastrukturën e një shteti të fuqishëm, rruga sërish nuk mund të bëhet gati për një muaj. Duket drejtuesit e projektit e kanë lënë të fundit këtë segment, pasi urat e tij janë ende në mes të procesit të ndërtimit. Dhe kur bëhet fjalë për ura, domethënë se koha nuk mund të jetë në asnjë rast e shkurtër. Vetëm në Reps, aty ku “Bechtel & Enka” ka kantierin më të madh, rruga është pothuaj e përfunduar. Pa ndonjë pengesë makina ecën me shpejtësi të shtuar drejt tuneleve të Thirrës. Ecën përmbi ura gjigande e male të prerë si me thikë në mes. Një zonë nga më të vështirat e projektit që tashmë mund të shënohet në hartë si e përfunduar. Por telashet nuk mbarojnë këtu, megjithë madhështinë e tuneleve. Sepse në anën tjetër rruga sërish duket të kalojë nëpër trasenë e vjetër. Kjo sepse firma e përbashkët kuvajtiano-shqiptare “COPRI I.V. Albbuilding sh.p.k.” vetëm në prill 2008 nisi punimet, për shkak të tenderimit të vonuar dhe teknikët nuk presin asnjë rezultat brenda vitit 2009. Kështu që shoferët duhet të presin t’u bien nervat e gomat në asfalt të mirë 2 kilometra në hyrje të Kukësit. Ndërsa pjesa tjetër, ajo deri në kufi, deri në Morinë, pothuaj ka përfunduar. Vetëm dy nga urat që ndërtojnë maqedonasit e firmës “Granit” ka të ngjarë që nuk bëhen gati për premtimin e fundmuajit që vjen.
Lajmi i fundit
Ndërsa lajmi më i fundit që emetohet, në kah pozitiv, kuptohet, është ai i bashkimit të njërit prej tuneleve Thirrë-Kalimash. Bashkimi i pritshëm konfirmohet të ketë ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm, një eveniment që duket Ministri i Transporteve Sokol Olldashi preferoi ta shijonte në praninë e gazetarëve të gjithë mediave më të rëndësishme të Tiranës. Në kontaktet e tyre me gazetarët, këtë bashkim të tunelit që gërryhej nga të dyja anët njëkohësisht e pranuan edhe drejtuesit e punimeve, Majk Simford, menaxheri i projektit të rrugës, i firmës “Bechtel”, dhe Ibrahim Karagaç, ekuivalenti turk i “Enka”. Sipas tyre, tashmë punëtorët e specialistët ishin duke punuar “me shumë kujdes” për përfundimin e metrave të fundit, ndërkohë që bashkimi ishte testuar me anë të shpimit të një vrime të vogël, qëllimi i së cilës ishte kontrolli për saktësinë e sjelljes në një nivel të dy galerive. “Kishim qëlluar në shenjë”, thanë me një zë dy inxhinierët e huaj.
Pa ndalesa, kthimi për në Tiranë, ngatërruar disa herë nga shoferi nëpër labirintet e rrugëve ndihmëse të bëra nga “Bechtel & Enka”, shkon më shpejt. Një muaj më pas, në drejtim të kundërt, mbase mallkimet e shoferëve që udhëtojnë në drejtim të Kukësit e Kosovës do të pakësohen. Mbase të gjithë ata që e kanë mundësinë, do u hipin autoveturave dhe bashkë me të afërmit apo miqtë e tyre do të shkojnë të hanë një drekë në ... Prishtinë.
30 tetor
2006, ishte data e nisjes së punimeve në terren nga “Bechtel & Enka”. Sasia fillestare e buxhetit të kësaj autostrade, nga Miloti në Morinë në Kukësit, u vlerësua rreth 400 milionë euro
30 qershor
2009, është data e nënshkruar në kontratë kur do të përfundojnë punimet. Gjithsesi problemet me shpronësimet dhe koha e keqe në dimër eventualisht e shtyjnë afatin, ndërkohë që firma nuk mban përgjegjësi
25 ura
Deri tani “Bechtel&Enka” ka ndërtuar 25 ura nga 29 gjithsej. Inxhinierët pohuan se brenda 2 javëve do të jenë gati dy nga katër urat e mbetura. Dy të tjerat sipas tyre mund të bëhen gati pas një muaji
5.53 km
është gjatësia e tunelit që ka nisur të hapet nga të dy anët. Shpejtësia e ecjes në një drejtim është 4 metra në 24 orë. Metoda e shpimit është me anë të eksplozionit
12 metra
është gjerësia e tunelit që do të hapet për qarkullim në fund të muajit tjetër. Kjo gjerësi konsiderohet normale për qarkullimin me një korsi në të dy drejtimet