Padia e familjarëve të viktimave: Të ikin tre nga gjyqtarët e “Gërdecit”
TIRANE – Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kërkojnë përjashtimin e tre gjyqtarëve nga Kolegji Penal që shqyrton dosjen në Gjykatën e Lartë. Kërkesa për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Besnik Imeraj, Evjeni Sinoimeri dhe Irma Bala është depozituar dje në sekretarinë e Gjykatës së Lartë nga mbrojtësja ligjore e familjarëve të viktimave, avokatja Blerta Kraja. Ndërsa një vendim i ndërmjetëm i kësaj gjykatë, 4 ditë më parë, e veçoi padinë civile të familjarëve të viktimave të Gërdecit, nga procesi penal ata duan të jenë palë në proces. “Është e vërtetë se po me atë vendim, ai Kolegj veçoi padinë tonë civile, por gjithsesi ne si të dëmtuar, trashëgimtarë ligjorë të viktimave do të vijojmë të jemi palë në këtë proces penal, të paktën me të drejtën tonë bazë, ku kërkojmë procedimin e fajtorëve”, thuhej në kërkesën e paraqitur në Gjykatën e Lartë.
Duke marrë shkas se në seancën e parë ata ishin legjitimuar nga organi procedues, të dëmtuarit theksojnë se është e drejta e tyre kushtetuese të marrin pjesë në procesin penal. Në kërkesë, pala e dëmtuar kërkon vëmendjen e Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Ndërkohë, vetëm pak seanca më parë, ishte ajo gjyqtarja që rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për përjashtimin e tre gjyqtarëve. Në tre kërkesat, familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, arsyetonin përjashtimin e gjyqtarit Besnik Sinoimeri për konflikt interesash dhe për anshmëri subjektive. Ndërsa për dy gjyqtaret e tjera, Evjeni Sinoimeri dhe Irma Bala, përjashtimi kërkohej me arsyetimin e anshmërisë objektive. Në seancën e 22 majit në ngarkim të të akuzuarve, si shkaktarë të shpërthimit të Gërdecit në Gjykatën e Lartë kolegji penal i saj vendosi ndarjen e çështjes. Sipas vendimit të ndërmjetëm në Gjykatën e Lartë do të gjykohet vetëm ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Pjesa tjetër e të pandehurve do të gjykohen në dhomën penale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Sipas të njëjtit vendim, padia civile e familjarëve të viktimave të Gërdecit, u veçua nga procesi penal dhe se ajo do të gjykohej në dhomën civile të gjykatës së faktit. ar.ba