Vrau gruan, pretenca: 20 vjet burg
KRUJE - Prokuroria e Krujës i kërkoi dje gjykatës shpalljen fajtor dhe dënimin me 20 vjet burg për Sefedin Doçin. Sipas prokurorisë, bazuar në provat e mbledhura dhe dëshmitë e familjarëve, rezulton se ai ka vrarë gruan e tij, Fiknete Doçi. I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes nuk e ka pranuar akuzën. Por dëshmitë kontradiktore të familjarëve të tij, e më pas edhe ekspertiza që iu bë kufomës nga ekspertët e mjekësisë ligjore, u konstatua se viktima kishte vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar. Në trupin e saj u gjetën shenja dhune, ndërsa në raportin e mjekësisë ligjore thuhej se viktima ishte mbytur me duar dhe se ajo kishte vdekur për shkak të asfiksisë. Dy javë më parë prokuroria kërkoi edhe dënimin e mjekut të Tapizës, i cili fshehu të vërtetën. Akuza kërkoi 2 vjet burg për Laim Bushin, 1.5 milionë lekë gjobë si dhe heqjen e licencës së mjekut për 5 vjet. r.n