Pas krizës nisin eksportet nga Shqipëria, kromi i pari
DURRES/ OERD ULQINI
Rigjallërohen eksportet “Made in Albania “. Ky fakt konstatohet nga dogana e Durrësit në dy muajt e fundit. Artikulli më i blerë nga të huajt mbetet kromi. Sasia e ndodhur stok prej shumë muajsh në kalatën e mineraleve rifuxho ka nisur të eksportohet drejt Kinës dhe Indisë. “Është vënë re se gjatë dy muajve të fundit sasia e kromit të eksportuar është rritur në masën 200%. Nëse deri pak muaj më parë kromin e eksportonim në sasi të vogla me konteinerë, tani ky mineral po dërgohet jashtë me anije të mbushura rifuxho”, saktësoi Arben Ibro, kreu i Doganës së Durrësit. Sipas tij, sasi të shtuara të eksporteve, por në përmasa më të vogla po shënon edhe druri, pllakat etj. Kjo është jo vetëm një shenjë gjallërimi e eksporteve shqiptare, por edhe e ekonomisë botërore, e cila duket se tashmë e ka larguar panikun e fillimit të vitit për të mos blerë. Në tremujorin e parë të vitit 2009, jo vetëm tregjet e kromit, por thuajse çdo produkt shqiptar, me përjashtim të energjisë, e kishte gati të pamundur të shitej jashtë. Ndërkohë përsa i përket karburanteve, Ibro saktëson se importi i tyre ka ardhur drejt zvogëlimit. Ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, pasi ndikon sadopak në uljen e deficitit të madh eksport-import të vendit. Ndërkohë që Ibroja e argumenton uljen e karburantit të importuar nga Lindja e Mesme me futjen në treg të produkteve të Ballshit, ekziston edhe mundësia që kjo ulje e importeve ka të bëjë me faktin se shqiptarët janë bërë më kursimtarë në kohë krize me naftën, benzinën apo gazin. Por nëse importi i naftës ulet, shtohet në masën 20-25% blerja nga jashtë e kafesë dhe e pijeve alkoolike. Tek këto të fundit vendin kryesor e zënë birrat dhe verërat, për të vijuar më pas me alkoolikët e fortë si whiskey, vodka, brandy, rumi etj. Të gjitha këto mallra që kanë akcizë janë “të domosdoshme”, edhe në kohë krize. Duket se familjet shqiptare mund të kursejnë karburantin, por kurrsesi jo kafenë e mëngjesit apo gotën e pijes alkoolike. Shoqëria “me vese” shqiptare reflektohet indirekt edhe në importin e shtuar të këtyre artikujve që kanë akcizë. Dogana saktëson se rritja e sasisë së importuar të kafesë arrin në afro 300-350 tonë, në krahasim me vitin e shkuar. Por këtë vit shqiptarët janë bërë më pak bukëngrënës të grurit të huaj. Shifrat e muajve të parë të këtij viti, që jep Dogana e Durrësit e vërtetojnë këtë fakt. Ky nuk është një tregues që flet për mirëqenien e shqiptarëve, të cilët tani e zëvendësojnë bukën në masën dërrmuese me mish apo peshk, por shpjegohet thjesht se fermeri shqiptar nisur nga fakti se drithi është një produkt gjithmonë i shitshëm, ka nisur kultivimin masiv të tij. Në fakt prodhimi vendas i grurit ka ulur ndjeshëm importet e këtij artikulli, i cili kryesisht vjen nga vendet e ish-bllokut sovjetik.