Stresi, vetëvaret babai i këngëtarit
Grindet në familje, var veten Xhetan Shira, babai i këngëtarit Altin Shira. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës kur trupi i tij i pajetë u gjet i varur në një lavazh, pranë vendit të punës. Familjarë dhe të afërm pohojnë se 62-vjeçari, i cili punonte si roje kohët e fundit kishte kaluar në depresion nervor për shkak të grindjeve të vazhdueshme me njërin nga djemtë. Ndërkohë shkak për grindjet ishte fakti se i biri kishte sjellje jo të mirë, ndërkohë burime policore pohojnë se djali luante bixhoz ku harxhonte fitimet e familjes. Për këtë shkak, kohët e fundit në familjen Shira kishin filluar grindjet, të cilat kishin rënduar psikologjikisht kryefamiljarin 62-vjeçar. Kurse djali tjetër, Altini i cili është një nga këngëtarët e njohur të muzikës shqiptare, jetonte në një banesë tjetër, me familjen e vet, larg asaj të prindërve. Pas lajmërimit për fatkeqësinë familjarët e 62-vjeçarit kanë marrë trupin e pajetë në shtëpi ku dhe kanë kryer ceremoninë mortore. Pasditen e djeshme ai u përcoll për në banesën e fundit. Familjarë dhe të njohur të familjes Shira pohojnë se 62-vjeçari njihej si njeri i qetë dhe pa probleme. Po kështu edhe familja e tij, që jeton në zonën pas universitetit Ushtarak “Skënderbej” njihet si një nga familjet më të qeta në lagje. Ata që e njohin prej shumë vitesh pohojnë se familja e tij nuk ka pasur probleme më parë, ndërsa kohët e fundit ishte bërë shkak për grindje, njëri nga djemtë e tij. Pas kësaj mësohet se 62-vjeçari ka kaluar në depresion mendor, si pasojë e të cilit i dha fund jetës duke u vetëvarur. Në mënyrë që të kryente aktin final ai është larguar si zakonisht nga banesa për në vendin e punës, ku ka shfrytëzuar momentin kur nuk kishte njerëz aty për t’u vetëvarur. Në orët e vona të darkës, kur njerëzit ishin larguar nga vendet e punës në zonën përreth lavazhit, Shira ka kryer aktin ekstrem ndaj vetvetes. Ai është parë nga disa qytetarë, të cilët i kanë telefonuar policisë. Menjëherë aty kanë mbërritur efektivët e grupit të gatshëm të komisariatit numër dy. Ka qenë e pamundur rikthimi i tij në jetë pasi në momentin që ka mbërritur policia kishte kaluar mjaft kohë nga kryerja e vetëvarjes. Ekspertët e policisë, të cilët mbërritën në vendngjarje ku kryen procedurat e nevojshme pohojnë se vdekja e të moshuarit ka ardhur nga asfiksia mekanike, e shkaktuar nga shtrëngimi i litarit rreth fytit. Shtrëngimi i litarit ka çuar në vdekje të menjëhershme 62-vjeçarin Xhetan Shira. Pas kryerjes së procedurave nga policia dhe Mjekësia Ligjore, trupi i pajetë i 62-vjeçarit i është dorëzuar familjarëve. Pasditen e djeshme, 62-vjeçari u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Shtish Tufinës. f.m.