E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, nis lyerja e tunelit



nertila maho

Tuneli i Kalimashit, që pritet të hapet në datë 15 maj, është pothuajse gati. Mbetet ende i papërfunduar betonimi, që me shumë mundësi do të mbarojë si proces javën e ardhshme. Ramazan Bajraktari, punonjës i kompanisë supervizore kroate IGH, ka thënë për të përditshmen kosovare “Koha Ditore” se një kompani greke e kontraktuar nga “Bechtel-Enka”, ka arritur në Kalimash ku ka filluar lyerjen e tunelit. Lyerja e tunelit do të bëhet me një ngjyrë gri të çelët. Sipas Bajraktarit, kanë mbetur ende pa u betonuar rreth 150 metra, ndërkohë që avancimi përgjatë 24 orëve është rreth 20 metër. Ai informon se pritet që javën e ardhshme betoni të jetë kryer plotësisht. Referuar të njëjtës gazetë, lidhur me detajet e punimeve bëhet e ditur se betonimi përfundimtar sipas dizejnimit të rishikuar parashikon riforcim me 50-70 centimetra betonarme, në një gjatësi prej 1 kilometri. “Ndërkaq, kanë përfunduar së instaluari në të gjithë gjatësinë e betonuar kamerat e kontrollit dhe është në proces vendosja e sensorëve të kontrollit të CO2, sensorët e lagështisë dhe impiantet e pastrimit të ujërave që dalin nga tuneli”, thuhet në artikull. Sa u përket punimeve në tubin jugor të tunelit të Kalimashit ato kanë përfunduar dy muaj më vonë se në tubin verior.
“Bechtel”, ofertë Serbisë
Konsorciumi “Bechtel-Enka”, pasi fitoi të drejtën për të ndërtuar autostradën Vërmicë-Merdar në Kosovë, duket se ka vendosur t’i bëjë një ofertë edhe Serbisë. E përditshmja “Koha Ditore” shkruan se kompania është ofruar për të ndërtuar autostradën Beograd-Boljare (kufiri me Malin e Zi). Konsorciumi amerikano-turk, i cili ndërtoi autostradën Zagreb–Split, propozon kryerjen e punimeve në pjesën prej 254 kilometra, vlera e së cilës arrin deri në 2 miliardë euro. Punimet do të duhej të fillonin më 1 gusht të këtij viti. Firmën e “Bechtel-Enka” e mbajnë autostrada Durrës-Kukës–Morinë në Shqipëri dhe ajo Vërmicë-Mërdar për të cilën sapo është nënshkruar marrëveshja me një kosto rreth 700 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›