E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili-Bukoshi: Më shumë bashkëpunim në shëndetësi



Thellimi i bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë sa i përket shkëmbimit të informacionit, teknologjisë dhe inovacionit, trajnimeve dhe specializimeve të përbashkëta të specialistëve janë bërë pjesë e takimit të ministrave të Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe atij kosovar të sapoemëruar, Bujar Bukoshi. Vizita e ministrit kosovar vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy ministrive simotra planifikohet që të intensifikohen më shumë. Kreu i Shëndetësisë në vend, Vasili, vlerësoi se sistemet shëndetësore në dy shtetet tashmë kanë hyrë në një proces reformimi të pakthyeshëm, ndaj edhe vizita e ministrit kosovar të Shëndetësisë është e rëndësishme dhe në kohën e duhur. “Me ministrin Bukoshi kemi biseduar për të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe gjetëm atë mirëkuptim që prisja”, ka theksuar Vasili. Ndërkohë që ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Bukoshi, u shpreh se dy mjekësitë tona kanë nevojë të sinkronizohen më shumë, ndaj dhe rritja e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të intensifikohet. Në këtë kuadër, kreu i Shëndetësisë, Bukoshi, i ka bërë ftesë ministrit Petrit Vasili për të vizituar Kosovën. Gjatë kësaj vizite pritet edhe finalizimi i marrëveshjes së re në fushën e shëndetësisë, bazuar në realitetet e reja dhe të ardhmen evropiane të dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›