E Diel, 1 Nëntor 2026

Portat e Fierzës nuk e zbrasin dot liqenin, dje në nivelin 296.3 metra



KESH ka vijuar me shkarkimet nga liqeni i Fierzës në kuotën 500 m3/s, ndërkohë që niveli krahasuar me një ditë më parë është rritur me 6 centimetra. Sipas kreut të Korporatës, Muharrem Stojku, situata është nën kontroll dhe do të vazhdojnë shkarkimet deri në normalizim e prurjeve, të cilat edhe dje kanë qenë relativisht të larta. Prurjet në liqenin më të madh të kaskadës së Drinit, Fierzë, ishin 950 m3/s rreth 50 m3/s më pak se një ditë më parë. Po kështu, shkarkimet kanë vijuar edhe në dy hidrocentralet e tjera të kaskadës. Në Koman dje shkarkoheshin 500 m3/s, në kohën që prurjet anësore ishin sa gjysma, 250 m3/s. Vau i Dejës kishte prurjet më të ulëta me rreth 70 m3/s dhe shkarkime në kuotën 700 m3/s. Niveli i Komanit shënonte 173.74 dhe ai i Vaut të Dejës 74.85. Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë një konference dy ditë më parë citoi rregulloren se shkarkimet do të vazhdojnë derisa të normalizohet situata dhe prurjet të bien nën 700 m3/s. Nga ana tjetër, ai garantoi se aktualisht nuk ekziston ndonjë rrezik për përmbytje në zonën e Shkodrës dhe nën Shkodrës. Drejtori i KESH-it tha dje për gazetën se në hidrocentrale ka vijuar prodhimi me kapacitete maksimale dhe kjo ka rezultuar shumë pozitive me një prodhim ditor më shumë se 29 milionë kwh në ditë dhe me një eksport 15.56 milion kwh në ditë. Nga KESH-i është konfirmuar që për muajin prill do të eksportohet në nivele mjaft të mira, për shkak të prodhimit të lartë në vend. Situatën pozitive energjetike dhe hidrike në vend e kanë ndjekur edhe një seri shkarkimesh. Dy ditë më parë Sekretariati Teknik mori vendimin bashkë me Komisionin e Posaçëm që të fillonin shkarkimet nga Fierza, për shkak se u arrit niveli maksimal dhe prurjet ishin në kuotën 1400 m3/s. Për këtë vit është hera e tretë që KESH hap portat shkarkuese të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Rasti i parë erdhi në janar, periudhë gjatë së cilës shkarkimet zgjatën rreth dy javë dhe një pjesë e mirë e zonës së Shkodrës e nën Shkodrës u përmbytën. Një muaj më vonë, në shkurt, për shkak të shirave dhe shkarkimeve që bënte Maqedonia nga Ohri, u rihapën portat e hidrocentraleve, por këtë herë përmbytja ishte në nivele më minimale se e para.

Situata dje

Fierza

Prurjet 950 m3/s
Niveli i liqenit 296.33 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta 500 m3/s
Derdhjet turbina 470 m3/s
Derdhje gjithsej 970 m3/s

Komani

Prurjet anësore 250 m3/s
Prurjet nga Fierza 500 m3/s
Prurje gjithsej 750 m3/s
Niveli i liqenit 173.74 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 500 m3/s
Derdhje turbina 650 m3/s
Derdhje gjithsej 1150 m3/s

Vau i Dejës

Prurjet (anësore) 70 m3/s
Prurjet nga Komani 500 m3/s
Prurjet gjithsej 570 m3/s
Niveli i liqenit 74.85 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 700 m3/s
Derdhje turbina 500 m3/s
Derdhje gjithsej 1200 m3/s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›