E Diel, 1 Nëntor 2026

Taisja Uzllova Karagjozi - Peripecitë e sovjetikes nën diktaturë



ANI JAUPAJ

“U përpoqa me të gjitha mundësitë, bëra aq shumë sakrifica të të bëja mjeke okuliste, ndërsa tani, jetoj i vetmuar..., i verbuar... Shikimi më është dobësuar krejt.” Këto ishin fjalët e fundit që rusja, Taisja Uzllova, mori të shkruara në një letër nga i ati, që jetonte në Rusi. Pas saj, asnjë lajm, as prej tij e as prej nipërve, fëmijëve të së motrës, Elenit, që ende nuk i kishte njohur. Veçse sikur ta ndjente, e shtynte gjithnjë të bijën, Zanën, të mësonte me përpikëri rusishten. “Një ditë do të shkosh të takosh vëllezërit e tu, do flasësh me ta prandaj mësoje mirë gjuhën ruse”. Vet me vete, Taisja, apo siç të gjithë e thërrisnin, Taja, duke i dhënë edhe disa ngjyra alla shqiptarçe emrit të saj, shpresonte fort që një ditë edhe ajo vetë mund të kthehej për të vizituar vendin e saj, miqtë prej të cilëve dikur ishte ndarë me dhembje, dhe nëse e gjente ende gjallë, do takonte atë për të cilin brengosej më shumë, babain. E ëma dhe e motra kishin ikur nga kjo botë me kohë. Asnjërën nga të dyja nuk arriti të shihte. Mundi të shkojë në Rusi 10 ditë pas varrimit të së ëmës. Pesë ditë duheshin për të siguruar lejen e nisjes, e pesë të tjera për të udhëtuar me vapor. Ndërsa për të motrën, as që flitej, duke qenë që vdekja e saj kishte ndodhur në kohën kur, nga jehonat e lavdishme të marrëdhënieve shqiptaro–ruse, kishin mbetur vetëm rrënojat.
Të gjitha këto, e bën doktorin, Munir Karagjozin, që jo pak herë të pendohej, të ndihej fajtor, pse ishte martuar me një grua të një kombësie tjetër. Ende dhe sot, në moshën 88-vjeçare, tek e tregon këtë histori, i ka të gjalla përjetimet e një bote të ndaluar. Paratë, doktori i mban në xhepin e përparmë të pantallonave, ndërsa në atë të pasmin, ka portofolin e boshatisur nga të hollat, ku mban fotografi të Tajës në kohë të ndryshme. “Shiheni sa e bukur ka qenë, kjo është bërë kur na qarkulluan”. Në fotografinë mikroskopike, të dëmtuar, përveç se nga koha, edhe nga dy rrathë metalikë, nuk mund të dalloheshin tiparet. Po kjo, sigurisht, për një sy të jashtëm sepse Muniri nuk ka nevojë të nxjerrë fotografinë për ta kujtuar.
Pas dy viteve të para të studimit në Lubjanë, në ’49-ën, pas prishjes së marrëdhënieve me Slloveninë, studentin shqiptar e dëbuan me urgjencë për Shqipëri. Ndërkaq, Stalini, në vizitën e Enver Hoxhës në Moskë, e porositi të forconte mbrojtjen e ekonomisë së vendit. Kaq i duhej kreut të vendit për të kërkuar dërgimin e më shumë studentëve në vendet e bllokut lindor. Një prej tyre ishte edhe studenti i kthyer nga Lubjana, që përveç të tjerash, tani do kishte probleme edhe me gjuhën. Nga ta dinte ai që komunikimi do të ishte një pengesë lehtësisht e kapërcyeshme, krahasuar me ato që do ta prisnin vite më vonë. Ishte ky fillimi i sa e sa historish dashurie të shqiptarëve me studentet ruse, që nisnin e rriteshin në heshtje, nga frika e të panjohurës që i priste.
Vetëm vite më vonë merrej vesh se lidhja e tyre kishte nisur prej kohësh, por nuk mund të shfaqeshin hapur.
Taisja, propozoi vetë për të marrë përsipër të ndihmonte Munirin në mësimin e gjuhës. Kështu, takimi i të dyve do shpeshtohej përditë e më shumë. Studentëve të huaj, për shkak të vështirësive me gjuhën, u duhej të qëndronin në bankën e parë, ndërsa Tajan e kishte larg, në të 7-ën. “Sado të ktheja kokën nuk arrija ta shihja mirë, ajo atëherë mbante edhe një kapele, çka ma vështirësonte edhe më shumë shikimin”.
Ndërsa e kujton, doktori e ngre ende kokën sikur kërkon të gjej Tajën mbrapa tij. Sidoqoftë, të gjitha pengesat e vogla e zbukuronin edhe më dashurinë e sapo nisur. Taja nuk u ndikua asnjëherë nga të gjitha pëshpërimat që dëgjonte prej mikeshave për të dashurin e saj. “Si mund të lidhesh me të, ai lyen buzët me buzëkuq”. Lubjana prej nga vinte studenti shihej asokohe si vend evropian, prurje shthurjesh. Sidoqoftë, kjo nuk i pengonte orët e tyre të studimit e të kënaqësisë në prani të njëri-tjetrit.
“Më kujtohet që njëherë na u dogj llamba. Hipi për ta ndërruar e i them Tajës më mbaj se mos bie. Jo, më thotë, që të bie unë?!”.
Kaq ju duhej për ta kaluar të gjithë ditën duke qeshur.
Po ja që të qeshurat duhet të shtyheshin për pak më vonë sepse kishte ardhur koha të vendosnin çdo bënin me njëri- tjetrin. Vitit të gjashtë të studimeve po i vinte fundi e Muniri do duhej të kthehej në Tiranë. Guxuan. Bën celebrimet në Rusi, pa e ditur se ç’i priste nga pas...
Koha e dashurisë
me BS-në
Taja numëroi çdo ditë të dy viteve, kur ishte e ndarë provizorisht nga i shoqi. Nuk e lejonin të vinte në Shqipëri, as të dashurit e tyre të shkonin atje. Me leje të Kuvendit Popullor, në ’55-ën, kur u miratua edhe ligji për martesat dykombëshe, Taisja Uzllova Karagjozi u shpërngul në Tiranë ku nisi menjëherë punën në poliklinikë si okuliste. Shpejt, do t’i shtohej kësaj edhe puna në spital. Me gjuhën shqipe, Taja kishte bërë përparime të mira, po vetëm kjo nuk mjaftonte për t’i lehtësuar jetën. Nuk mund të mos e kishte kokën mbrapa nga të dashurit e miqtë e saj. Megjithatë jetesa e tyre ishte e mirë, duke qenë që bazë e fortë ishin të ardhurat financiare. “Më vonë, pas vendosjes së avionit Tiranë-Moskë nisëm të shkojmë për çdo vit, atje lindi edhe vajza jonë, Zana”.
Kjo ishte koha e miqësisë së madhe, e muzeut Lenin –Stalin, e kinemave që shfaqnin filma sovjetikë, aq sa Taja nuk e fshihte entuziazmin dhe çudinë sepse as në vendin e saj nuk kishte dëgjuar e parë kaq shumë shfaqe ruse. “Nuk e dija që vallet ruse paskan qenë kaq të bukura”, pat thënë! Por ky entuziazëm nuk do vazhdonte shumë gjatë sepse nuk kaloi shumë kohë kur nisën të shfaqen krisjet e para. Goditja e parë ishte vdekja e së ëmës. Pas lajmit, nuk e lejuan të shkonte. Mundi të jetë atje vetëm pas 10 ditësh. Ky ishte edhe pengu i parë i Munirit, pa e ditur se shumë të tjera, më të mëdha, po e prisnin...
Ftohja me Moskën
Muniri ishte në Paris kur e shoqja kishte nisur të vërejë pas mbledhjes së 81 partive komuniste në Moskë se brohorimave për Enver Hoxhën dhe Bashkimin Sovjetik u mungonin thirrjet për Hrushovin. E vetmja shpresë e Taisjas ishte që ajo vetë mund të mos kuptonte, apo që, ndoshta ishte një keqkuptim politik. Asgjë e tillë. Kur nisën rusët e parë të largohen nga Shqipëria, nuk kishte më shpresë në aludimet e frikësuara të të rinjve. Ndërkaq, Muniri po e nuhaste mirë se çfarë po ndodhte. Atij vetë ishin duke i ‘organizuar’ planin e radhës. Një takim hipotetik me Nuri Dinon, turkun me origjinë shqiptare, i parë jo me sy të mirë nga Tirana, i rrezikonte ditët e mëtejshme të çiftit të mjekëve.
Kthimi në Tiranë, e gjeti Munirin të qarkulluar në qytezën e çorovodës. Arsyeja? Qarkullim kuadri.
Ai e kishte marrë mesazhin sidoqoftë. Ishte i qartë: nuk duhet të kishte zgjedhur dashurinë për një grua përpara dashurisë së atdheut.
Nga çorovoda
në Klos
Shpërngulja, nuk e pezmatoi Tajën. Nisi punën me aq dëshirë në çorovodë sa që ndërtoi e vetme, krejt nga fillimi pavijonin e okulistikës. Por a do të mund ta shijonte këtë përpjekje për t’u rimëkëmbur? Nuk ishte e thënë. Me të vënë në vijë gjithë punën e saj, e pasi gëzoi edhe mirëpritjen e vendasve, qarkullim i dytë në Klos. Kësaj here nuk mund të merrej me lehtësinë e herës së parë. Mund të bënin ata të dy, një okuliste dhe një fizioterapist, në një vend aq të vogël sa Klosi?! Për më tepër, me urgjencën që i kishin qarkulluar në Klos, Taja nuk gjeti as një dhomë të vetme në të cilën të kryente vizitat. E përveç se për vizitat mjekësore, as për rrobat e sendet e tyre nuk kishin vend. “I kemi lënë të gjitha plaçkat në mes të Klosit, deri sa të na gjenin një vend ku të mund të sistemoheshim”. Plaçkat nuk ishin vetëm rrobat e trupit. Plot 37 vëllime enciklopedike që Taja i kishte sjellë nga Rusia e që i mbante gjithnjë me vete, i duhej t’i tërhiqte ngado që e degdiste partia. “Unë pata sjellë nga Parisi një bolier dushi, të cilin duhet ta tërhiqnim nga mbrapa gjithashtu”. Të gjitha përpjekjet për t’i bërë lehtësira jetës, dështonin me urdhër nga lart. Fotografitë e të dashurve të saj atje larg, i ruante si më të shtrenjtat.
I sistemuan më në fund në zyrat e këshillit popullor, ku qëndruan për 8 vitet në vazhdim, deri sa dolën në ’86 në pension. U kthye Klosi asokohe në vend pelegrinazhi. Shkonin për të vizituar sytë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sepse me gjithë degdisjet e jetën e izoluar larg çdo të afërmi e larg çdo imazhi që mund të kishte pasur Taja për të jetuar jetën, diti të mos rrëzohej edhe atje ku nuk mund t’ia merrte mendja se do të mbërrinte ndonjëherë. Sado që ju largua vendit të saj, e bëri me mendimin që tek e fundit do ushtronte profesionin e saj në Tiranë, do ishte e lirë të vizitonte të afërmit kur të mundte, pra një jetesë, jo aq larg të sajës, së mëparshmes. Diti megjithatë të vendosë gurët e vet atje ku e hodhi fati.
Sëmundja
Në kohën kur u nisën të ndjejnë një fllad ndryshimi, pra partia e la të lirë Munirin si anëtar partie, fakt që i gëzoi të dy jo pak, ndodhi ajo çka as imagjinata deri atëherë nuk e kishte prekur. Taisja sëmuret me një sëmundje të rëndë, prej së cilës nuk duhej shumë për të kuptuar se nuk mund të kishte shpëtim. Për më tepër që intuitën e mjekes, nuk mund ta mbaje me të ngrohta se kanceri i mushkërive mund të kishte shpëtim. I shoqi, i lëvizi të gjithë gurët e mundshëm për ta nxjerrë jashtë shtetit, por të gjitha përpjekjet rezultuan të kota. Sovjetikët nuk mund të largoheshin kurrsesi. Përfundoi e shtruar në sanatorium, ku sipas parashikimeve i kishin mbetur edhe gjashtë muaj jetë. Të gjitha ndërhyrjet, kurat e kimioterapitë, vetëm sa e larguan kufirin që i kishin lënë mjekët, dhe e bën Taisja Uzllova Karagjozin të jetonte edhe për pak më shumë se një vit.
Sekretet
Me largimin nga jeta, Taja mori me vete, ndoshta, jo pak të fshehta për të cilat duke qenë që nuk donte të shqetësonte edhe më tepër familjarët e saj, nuk i rrëfeu asnjëherë. Siç ishin tri ditët në të cilat u zhduk nga Klosi pa lënë asnjë gjurmë. Justifikimi i një shërbimi urgjent pune ishte shumë i kollajtë për t’u dhënë por në të vërtetë, askush nuk e mori vesh ndonjëherë se ku shkoi e kush e kishte marrë Tajën në ato tri ditë. Ishte po kjo periudhë, në të cilën u dëgjua për burgosjen e disa sovjetikeve, pjesë e të cilave mund të ishte edhe ajo. Vite më vonë e bija tregon se në ato tri ditë mund edhe të ishte rrahur, keqtrajtuar, por për këtë vendosi të mos flasë. I mori me vete, vuajtjet e persekutimet e sa e sa viteve, mallin për familjarët, dhimbjen për babanë, e gjithë ç’në heshtje e kishte munduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›