Fleura Shkëmbi - Të kurohesh nën hipnozë
ANI JAUPAJ
Ende pa u zgjuar, është një gjendje gjysmë e vetëdijshme që megjithë sytë e mbyllur e trupin e mpirë, e di se çfarë po të ndodh përreth. E megjithatë e shpërfill zërin që dëgjon si në ajër si e si ta lësh atë gjendje të zgjasë qoftë edhe një minutë më shumë. Të gjithë e kanë provuar dhe e provojnë në vazhdimësi. Ndofta është nevojë më shumë psikologjike se sa fizike. Veçse, mëngjesi nuk është i vetmi që mund të na e dhurojë. S’ka pse të kushtëzohemi nga alarmi i orës për t’i qëndruar edhe për pak larg rrëmujës së ditës. Hipnozën, gjendjen e transit, mund ta arrijmë kur të duam. Sigurisht nën kontrollin e një profesionisti. E gjitha kjo, në momentin e parë, shkakton ankth, fundja efektin e cilësdo dukuri të panjohur. Pastaj zbulon se është një dukuri fare normale, ndër më të bukurat, gjatë minutave të së cilës mundësohet përhumbja në tokën, ku nuk ke mundur të shkosh më parë. është një terapi kurative, e cila përveç se shijon, të paraqet edhe një pamje të re, të panjohur më parë të vetes. është pra, një bisedë e marrë shtruar me të pandërgjegjshmen, me frikërat, pikëpyetjet dhe dyshimet që, gjithsecili, i fsheh edhe nga vetja e vetë. Të gjitha këto, hipnoterapeutja, Fleura Shkëmbi, i ka testuar së pari te vetja e vetë, mandej ka besuar dhe punuar për t’ia shtuar profesionit të saj, psikologjisë, profilin e hipnozës.
Për aq sa dihet, përveç metodave popullore të gjysheve të çajit me bimë narkotike, apo prestigjatorëve, hipnoza apo gjendja e transit mundësuar nga një mjek specialist, nuk ka qenë fare e dëgjuar. Ju si jeni njohur?
Për shkak të studimeve të mija në psikologji, për mua kishte qenë e njohur megjithatë përveç një rasti kur pata një tundim të rrufeshëm, që kaloi sakaq, nuk e nëpërmenda më. Ideja ime e pas shkollës ishte të bëja një specializim për terapiste seksi. Mendoj që njerëzit tradhtojnë shumë sepse nuk kanë informacionet e duhura. Por ja që plani ndryshoi rrugës. Rastësisht, në Londër, hasa njoftimin e një kursi dyvjeçar për hipnozën. Po aq rrufeshëm mu rikthye ideja e dikurshme dhe nuk e zgjata vendimin për ta ndjekur.
Si një gjëje të panjohur, nuk i frikësoheshit?
I frikësohesha sigurisht. E kujtoj edhe tani ankthin dhe frikën e ditës së parë që kam hyrë në klasë.
Për ju vetë, kur dhe si ka qenë hera e parë që keni qenë nën efektin e hipnozës?
Po atë ditë të parë që përmenda më sipër. Pedagogu kërkoi një vullnetar për ta demonstruar dhe unë u ofrova. Në fakt, e bëra me qëllim për ta sfiduar, për t’i treguar që nuk mundte të kishte fuqi te unë. Në fakt nuk rezultoi ashtu. Ndenja në gjendje transi për 5 minuta.
Po tani që jeni terapistja, ka pacientë që ashtu si ju dikur duan t’iu sfidojnë? A munden të mos e arrijnë gjendjen e hipnozës?
Munden vetëm nëse vijnë me qëllim siç thatë dhe në këto raste unë nuk ngulmoj, ose në rast se pacienti ka element psikopatik në të cilët nuk mund të ndërhyj. Unë rezultova një paciente që mund të hipnotizohet lehtësisht. Padyshim që ka shumë të vendosur.
Cilat janë dukuritë më të shpeshta që pacientët kërkojnë të kurojnë nëpërmjet kësaj terapie?
Janë fobitë, ndër të cilat ajo nga avioni, nga lartësitë, nga vendet e mbyllura. Fobitë janë gjithashtu ato që riparohen më lehtë.
Megjithatë janë edhe ato më pak të rrezikshmet, duhet të ketë të tjera më të domosdoshme?
Padyshim. Janë gjendjet e rënduara emocionale, ankthet, ataket e panikut, frikërat ndaj provimeve të cilën unë vetë e kam pasur dhe e kam mposhtur, dhimbjet nga humbja e një njeriu të dashur, vetë konfidencialiteti, vetësiguria përpara një performance...
Do të thotë që duhet të keni jo pak pacientë artistë...
Nuk janë të paktë. Gjendja e vetësigurisë që duan të arrijnë përpara një shfaqjeje a koncerti ua bën të nevojshme një seancë hipnoze. Qoftë edhe për relaksim, për t’iu distancuar realitetit.
Hipnoterapia shërben gjithashtu për të eliminuar pirjen e duhani apo lënien e alkooli? Sa funksionon?
Funksionon, madje një pacient ka arritur ta lërë duhanin vetëm me një seancë. Por unë mendoj që njerëzit në Shqipëri duan ta pijnë dhe nuk mundohen shumë për ta hequr
Po ju vetë vazhdoni ta bëni këtë gjë me veten?
Unë e bëj gjithnjë, por e bëj sidomos përpara një performance televizive apo një eventi në të cilin duhet të jem në gjendjen time më të mirë.
Nëse nuk e bëni...?
Puna që bëj me veten është për të arritur perfeksionin në gjendje fare të natyrshme, jo sepse ndryshe do isha e frenuar.
Na përshkruani konkretisht një model të përafërt me shembullin e mësipërm...
Mund t’u përmend rastin e një të riu me ankth dhe atake paniku. Ai nuk shoqërohej me shokët e tij dhe ndihej i lirë vetëm në familje. Nëpërmjet hipnozës mundi të rikujtonte momentin e parë të atakut të panikut, ku kishte qenë vetëm 11-vjeç para se të hynte në një shkollë të re. Djali ishte tronditur dhe fiksuar nga ambienti i ri i panjohur. Në këto momente ishte përpjekur të dukej sa më i vogël e i padukshëm për te mos rënë në sy. Fatkeqësisht kjo nuk funksionoi dhe ai ishte ndjerë i dobët para shokëve për një kohë të gjatë. Nëpërmjet hipnozës dhe regresit (kthimit në të kaluarën), ai mundi të kuptonte shkakun e vërtetë të ankthit. Me anë të terapisë filloi të merrte kontrollin mbi veten, të frenonte panikun dhe të frekuentonte përsëri ambiente të reja, të panjohura. Ai shqyrtoi arsyet e ankthit, rifitoi identitetin personal, duke u ndjere mirë me veten dhe ambientin përreth. Ka shumë ngjarje që ne i harrojmë, por ato vazhdojnë të ndikojnë indirekt jetën tonë të përditshme.
Përderisa është një gjendje çlodhjeje, qetësi, rrezikojnë pacientët të krijojnë varësi ndaj gjendjes së transit?
Jo. është një situatë lehtësisht e komandueshme.
çfarë është?
Hipnoza (nga greq. “ipno-s” - gjumë, dhe perëndia greke e gjumit Hipnos) është një gjendje e hamendësuar e ndërgjegjes së ndryshuar, në të cilën njeriu i hipnotizuar nga një person që zotëron aftësinë e hipnotizimit, është zakonisht më i ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme sesa në gjendjen e tij normale, pra zgjuar.
Me ndikime kuptohet një mendim (ide) apo komunikim bartës i një mendimi që nxjerr një përgjigje të fshehur ose të njohur nga personi pa ndërmjetësinë e aftësive të larta kritike.
Hipnoza nuk është e zbatueshme tek të gjithë njerëzit, megjithëse disa njerëz përjetojnë nën hipnozë një rritje të të ndikuarit dhe ndjenjës nënshtruese të një gjendjeje të tjetërsuar të ndërgjegjes.
Nën gjendjen e hipnozës njeriu është “pre” e ndikimeve të jashtme dhe ndryshon mënyrën e të sjellurit, vepruarit, shijuarit, ndijuarit dhe menduarit.